Arkiv: Dialogu Kosove - Serbi

Kocijançiç: Nuk ka tensione që rrezikojnë dialogun Kosovë-Serbi

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç, ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi i udhëhequr nga BE synon të nxisë bashkëpunimin midis dy palëve në rrugën drejt Evropës.

Kocijançiç për KALLXO.com tha se Presidenti Thaçi dhe Vuçiç po përcaktojnë bazën për pajtim të përbashkët.

“Dialogu i udhëhequr nga BE synon të nxisë bashkëpunimin e qëndrueshëm midis dy palëve, t’i ndihmojë ata të arrijnë përparim në rrugën drejt Evropës dhe të përmirësojnë jetën e njerëzve. Një zgjidhje e qëndrueshme nënkupton një zgjidhje realiste të qëndrueshme sipas ligjit ndërkombëtar dhe të dy palët po përcaktojnë bazën për pajtim të përbashkët”, tha ajo.

Kocijançiç tha se nuk ka tensione që do të mund të rrezikonte qëllimin e përbashkët për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

“Ashtu siç është rënë dakord dy presidentët gjatë takimit të fundit të nivelit të lartë të Dialogut më 18 Korrik në Bruksel – nuk ka tensione në terren që do të rrezikonte objektivin e përbashkët të normalizimit të marrëdhënieve”, tha Kocijançiç për KALLXO.com

Zëdhënësja konfirmoi se takimi i radhës në mes të dy delegacioneve do të mbahet në fillim të shtatorit.

“Të dy presidentët rishikuan përparimin e arritur dhe ranë dakord të takohen në fillim të shtatorit”, tha ajo.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në konferencën e djeshme tha se “nuk ka ndonjë datë të veçantë, por pritshmëritë janë në fillim të shtatorit”.