'Kobra' në Flakë

Tre persona kanë tentuar t’i djegin për së gjalli menaxherët dhe punëtorët e lokalit ‘Kobra City’ në Prizren sot në orët e hershme të mëngjesit.

Sulmuesit, sipas policisë, pasi i kanë rrahur menaxherët dhe punëtorët e lokalit i kanë lidhur me zinxhirë e më pas i kanë vënë flakën lokalit.

Hazir Berisha zëdhënës i policisë së Prizrenit konfirmoi për KALLXO.com se punëtorët kanë arritur t’i zgjidhin zinxhirët dhe të ikin nga zjarri.

“Kanë lëndime trupore, njëri nga ta ka 7 dhëmbë të thyer”, ka thënë Berisha.

Për momentin policia nuk ka të dyshuar apo të arrestuar për këtë incident.

Punëtorët e lokalit ‘Kobra City’ që është në pronësi të valltares Donjeta Kasumi, e njohur në opinion si “Kallashi”, disa herë janë përballur me ligjin.

Lokali për herën e fundit ishte bastisur nga policia në shtator të vitit të kaluar ndërsa eprorë të policisë e kishin quajtur këtë lokal si problematik për Prizrenin.

Për telashet që ky lokal u ka shkaktuar organeve të sigurisë, vitin e kaluar emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka kryer një hulumtim.

http://kallxo.com/kobra-e-prizrenit-qe-kafshoi-institucionet-e-rendit-e-sigurise/