Ndërtesa e Komunës së Klinës - Foto: KALLXO.com

Klina e Gatshme për Festivalin ‘I Këndojmë Lirisë’

Komuna e Klinës tashmë ka filluar përgatitjet për festivalin folklorik  mbarëkombëtar “I Këndojmë Lirisë”, i cili mbahet më 6, 7 e 8 qershor, në nderim të dëshmorit të kësaj komune, Mujë Krasniqit.

Daut Gashi, anëtar i Drejtorisë Artistike të festivalit, shprehet optimist rreth mbarëvatjes dhe pret që do të vazhdojë tradita e pjesëmarrjes nga të gjitha trevat shqiptare.

“Në ketë edicion, i cili është i gjashtëmbëdhjeti me radhë, llogarisim sikur çdo vit tjetër të marrin pjesë afërsisht 700 pjesëmarrës, grupe të ndryshme, ansamble të ndryshme nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, diaspora, etj.”, tha Gashi.

Ndërsa, Enver Maloku, nga Zyra për Informim e festivalit, tha se gjatë tre ditëve sa do të mbahet ky eveniment opinioni publik do të informohet me kronologjinë dhe performancat.

“Grupi i gazetarëve që jemi aty për tre net me radhë, do ta publikojë gazetën “Lyra”, e cila përfshinë gjithë  kronikën e tre netëve me radhë, prezantimin e grupeve të tjera dhe individëve sikundër manifestimet e tjera kulturore, sportive, tribuna, orë letrare etj.”, tha Maloku.

Në anën tjetër, Skënder Behrami, sekretari i festivalit, tregon se Komuna për këtë ngjarje ka ndarë 15 mijë euro. Ndërsa, mjetet e një donacioni nga Ministria e Kulturës Behrami i konsideron “qesharake”, krahasuar me, siç thotë ai, rëndësinë që ka ky eveniment.

“Na ka çuditur të gjithëve. Faktikisht edhe është për t’u çuditur, sepse mjetet që i ka ndarë Ministria e Kulturës për një festival të këtij formati dhe organizimi që është janë shumë qesharake sepse janë gjithsej 1,800 euro që i ka ndarë për festivalin tonë”, tha Behrami.

Festivali Folklorik “I Këndojmë Lirisë” është  festival i përvitshëm që mbahet më 6, 7 e 8 qershor.

Në lidhje me festivalin folklorik “I Këndojmë Lirisë”, Raporti i Auditorit të Përgjithshëm vitin e kaluar kishte gjetur elemente të konfliktit të interesit pasi që kryetari i kësaj Komune, Sokol Bashota, mbante njëkohësisht edhe postin e drejtorit të festivalit.

Në lidhje me ketë Gazeta JNK kishte raportuar në gusht të vitit 2015.

Gjetjet që Detyruan Bashotën të Japë Dorëheqje

Mbajtja e dy pozitave njëkohësisht nga kryetari Bashota ishte njëra nga arsyet për bastisjen e zyrës së këtij të fundit nga ana e hetuesisë. Për bastisjen e zyrës së Bashotës, KALLXO.com ka raportuar në muajin shkurt të këtij viti.

http://kallxo.com/bastisje-ne-komunen-e-klines-i-dyshuar-edhe-sokol-bashota/