Palestra "Adem Jashari" e inauguruar sot në Klinë - Foto: Kallxo.com

Klina Bëhet me Palestër Sportive Moderne

Në Klinë sot është përuruar palestra sportive për të cilën qyteti kishte tepër nevojë.

Ndërtimi i palestrës, të cilës i është vënë emri i komandantit legjendar Adem Jashari, është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Kryetari i Komunës së Klinës tha se ia vlejti pritja dhjetëvjeçare, pasi që qyteti u bë me një palestër që rrallë gjendet në Kosovë. Ai aludonte në faktin se ndërtimi i kësa palestre ka nisur më 2004.

“Më mirë vonë se kurrë, dhe nganjëherë të fundit nuk i bie shumë keq. Unë mendoj që kjo është një nga palestrat me të mira në Republikën e Kosovës”, u shpreh Bashota.

I kënaqur me infrastrukturën moderne të palestrës u shpreh edhe Muharrem Sahiti, këshilltari i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Sipas ish-futbollistit dhe ish-trajnerit të futbolli,t palestra “Adem Jashari” në Klinë duhet të shërbejë si model për të gjitha palestrat e tjera në Kosovë.

“Siç po shihet është një investim jashtëzakonisht i qëlluar nga Ministria, por edhe puna që është bërë po më len shumë përshtypje. Nga të gjitha palestrat unë mendoj se kjo është model për të gjitha palestrat në Kosovë”, tha Sahiti.

Muharrem Sahiti tha për KALLXO.com se përveç sporteve me dorë kjo palestër i plotëson kushtet edhe për zhvillimin e futsallit.

Në anën tjetër, Kristina Lazri, drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Klinës, deklaroi se palestra e re është parakusht për zhvillimin e sporteve deficitare në ketë komunë.

Lojërat do të zhvillohen, do të aprovohet edhe një rregullore për shfrytëzimin e kësaj palestre. Ne planin tonë që e kemi po mendojmë këto disiplina sportive të zhvillohen. Për momentin basketbolli ende nuk është i licencuar si klub, po presim një klub basketbolli”, tha Lazri.

Në përurimin e palestrës i pranishëm ishte edhe ministri Kujtim Shala dhe zëvendëskryeministri i Hajredin Kuçi.

Ky i fundit iu bashkua edhe një loje futsalli të organizuar nga Komuna e Klinës.

Për përfundimin e fazës përfundimtare të ndërtimit të kësaj palestre, KALLXO.com kishte raportuar në qershor të vitit 2015.

http://kallxo.com/ndertimi-i-palestres-ne-kline-ne-fazen-perfundimtare/