Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial me projekt për menaxhimin e lëndëve

Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës kanë mbajtur një konferencë në lidhje me funksionalizimin e Sistemit për Menaxhimin e Lëndëve (SMIL), Projekt ky i cili i kushtohet sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe i cili mbështetet financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë.

Qëllimi i kësaj ceremonie ishte me theks të veçantë Faza e tretë e Projektit të SMIL, në mënyrë që të diskutohet progresi i arritur, hapat e tanishëm, si dhe zotimi dhe angazhimi për të realizuar në plotni Sistemin për Menaxhim të Lëndëve në Sistemin e drejtësisë së Kosovës.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm, Kryesuesi i Këshillit Prokuorial të Kosovës, Bahri Hyseni, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, Ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjastad, si dhe kryeprokurorë dhe kryetarë të Gjykatave.

Sistemi për Menaxhimin e Lëndëve (SMIL) si një faktor i rëndësishëm i reformave në sistemin e drejtësisë, prandaj edhe ka nevojë për marrjen e vendimeve të duhura dhe pa hezitim nga palët e përfshira gjatë procesit të automatizimit të shërbimeve si dhe të shprehin zotime dhe angazhime të reja në procesin e zbatimit të Projektit SMIL.

Palët e përfshira u zotuan t`i marrin të gjitha hapat e nevojshëm si dhe vendimet e duhura për të siguruar zbatim të plotë të projektit në të gjitha gjykatat dhe prokuroritë e Kosovës.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni dhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, theksuan se Projekti i SMIL-it do të zbatohet në plotni pa marrë parasysh sfidat që mund të dalin përpara, duke përmendur  ndryshimet pozitive që Projekti SMIL tashmë ka sjellë në procesin e punës së sistemit prokurorial dhe atij gjyqësor në Kosovë. Sipas tyre, funksionalizimi i plotë i SMIL-it duhet të bëhet dhe se nuk ka alternativë tjetër, dhe theksuan që ndryshimet e nevojshme normative për aplikimin e sistemit tashmë janë bërë.

Me anë të këtij projekti do të ketë monitorim të vazhdueshëm të zbatimit të gjitha fazave zbatuese si dhe do të ndërmerren masa ligjore konkrete ndaj të gjithë atyre, të cilët mund të ngadalësojnë dhe pengojnë përdorimin e SMIL-it, sepse vet sistemi do të ndikojë drejtpërsëdrejti në ngritjen e transparencës, llogaridhënies, besueshmërisë, planifikimit më të mirë, shpejtësisë si dhe efikasitetit më të madh në punë.

Ndërsa, Ambasadori norvegjez në Kosovë, Per Strand Sjastad, citohet të ketë thënë se SMIL-i do të mbështetet si në aspektin financiar ashtu edhe përmes ekspertizave dhe përvojave të ekspertëve norvegjezë, dhe theksoi se shteti norvegjez do të mbetet i angazhuar në zbatimin e Memorandumit të përbashkët të Bashkëpunimit për fazën konsoliduese të projektit për periudhën 2019-2021, duke kërkuar nga përfaqësuesit e institucioneve kosovare që të ushtrojnë ndikimin e tyre ligjor dhe institucional për realizimin e plotë të projektit SMIL.

Ky projekt ka kushtuar afro dhjetë milionë euro,  për të përmirësuar efikasitetin, llogaridhënien dhe transparencën në sistemit të drejtësisë, ndërsa përgjegjës për zbatimin e Projektit të Sistemit për Menaxhimin e Lëndëve (SMIL) janë Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.