Kërkohet paraburgim për policin nga Gjilani, i dyshuar për shantazh ndaj mërgimtares

Një hetues policor i stacionit policor në Gjilan, po dyshohet për shantazh e lëndim truporndaj një gruaje nga diaspora.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar masën e paraburgimit për I.Sh.,  hetues në stacionin Policor në Gjilan.

Seanca për të njëjtin është caktuar sot, ndërsa gjyqtari i procedurës paraprake kërkoi që seanca të jetë e mbyllur për shkak të ndjeshmërisë së rastit.

Hetuesi policor po dyshohet se ka shantazhuar një grua e cila është nga Gjilani por jeton në diasporë.

Sipas pretendimeve të prokurorisë, hetuesi policor për disa vite e ka shantazhuar gruan duke i kërkuar para dhe të njëjtës i ka shkaktuar lëndime trupore.

Burime të KALLXO.com kanë sqaruar tutje rrjedhën se si hetuesi policor nga Gjilani u përshi në ngacmimin e një gruaje nga diaspora.

Sipas këtyre burimeve  ngjarja kishte nisur kur shtëpia e viktimës ishte vjedhur nga hajnat në kohën kur viktima ishte në diasporë.

Dyshimet janë se pastruesja e shtëpisë e kishte denoncuar rastin në polici ndërsa hetuesi kishte kërkuar që kur pronarja të jetë në Kosovë të paraqitet në stacion.

Kur viktima kishte shkuar në stacion ajo kishte takuar hetuesin e policisë i cili thuhet se më pas e kishte dërguar në shtëpi.

Prokuroria është duke hetuar rrethanat se çfarë kishte ndodhur gjatë kohës kur viktima ishte dërguar në shtëpi ndërsa të njëjtat burime kanë sqaruar se pas kësaj polici dyshohet se kishte kërkuar para nga viktima.

Gruaja nga diaspora sipas të njëjtave burime kishte paguar afër 5 mijë euro në shuma të ndryshme tek polici.

 

https://kallxo.com/dyshimet-per-skandalin-ne-policine-e-gjilanit-mergimtarja-pagoi-afer-5-mije-euro-per-mospublikimin-e-videove-intime/

.