Kërkohet fuqizimi i të rinjve, grave dhe minoriteteve përmes dialogut social

Instituti D4D gjatë ditës së sotme është duke e zhvilluar punëtorinë “Dialogu social për fuqizim”.

Pjesë e kësaj punëtorie janë përfaqësues të shoqërisë civile dhe minoriteteve, organizimeve sindikale në Kosovë, aleancat dhe odat ekonomike.

Përfaqësuesit e këtij instituti thanë se ka një vit që është duke u punuar në zhvillimin e dialogut social i cili më së shumti i prek të rinjtë, gratë dhe minoritetet në Kosovë.

Shpend Emini, drejtor ekzekutiv, D4D, tha se dialogu social ka për qëllim sigurimin që bizneset private të respektojnë kushtet e punës, si dhe të rritet llogaridhënia në veprimtarinë e tyre.

“Do të diskutohet rreth përfshirjes më të madhe të rinisë e veçanërisht të grave në këtë proces. Sfidat, mundësitë dhe zgjidhjet e implementimit të Agjendës për Punë të Dinjitetshme në Kosovë, mënyrat e avokimit, pjesëmarrjes së të rinjve dhe grave në fushën e dialogut social, si dhe rritjes së rrjeteve të sindikatave në të gjithë sektorët ekonomik”, ka thënë Emini.

Ndërkaq, Durim Hoxha, menaxher i projektit, EYE, tha se përfshirja e të rinjve dhe grave në dialogun social është duke u bërë që nga viti i kaluar dhe ka për qëllim fuqizimin e tyre.

“Bashkëpunimi i këtij projekti daton që nga viti i kaluar dhe jemi duke u munduar të diskutojmë se sa po përfshihen të rinjtë dhe të rejat dhe gratë në dialogun social. Ky takim është në vazhdën e aktiviteteve që nga viti i kaluar në të cilat kemi biseduar për tema të ndryshme siç janë roli i pagës minimale në tregun e punës, roli i ligjit për sigurimet shëndetësore në sektorin privat. Konkludimet e sotme do t’i adresojmë në Këshillin Ekonomik Social”, përfundoi Hoxha.