Ilustrim

Devijimi i dialogut të munguar social

Mungesa e një marrëveshje në mes të Sindikatës së Arsimit dhe Qeverisë, ka bërë që Kosova të jetë vendi i vetëm në rajon që viti shkollor në nivelin fillor dhe atë të mesëm të mos fillojnë në muajin shtator. Greva e sindikalistëve të arsimit që është shpallur me 25 gusht, ka nxitur reagime dhe debat të ashpër publik.

Debati social i nevojshëm për të ofruar zgjidhje që do të shpinte në hapjen e shkollave, ka devijuar. SBASHK-u dhe Qeveria duke mos iu përmbajtur gjuhës fyese dhe denigruese në drejtim të njëra-tjetrës, nuk treguan pjekuri institucionale dhe platformë të përbashkët që do ta mbronte të drejtën e fëmijëve për edukim.

Të dy palët kishin gabimet e tyre, e pa gabime nuk mbeti as opinoni publik i ndarë në dysh; kryesisht duke mbajtur qëndrime ekstreme pro apo kundër grevës. Publiku dhe Qeveria duhet të dijnë që aktiviteti sindikalist i Sindikatave është i drejtë dhe si i tillë shpesh ka qenë i domosdoshëm për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Fyerja, etiketimi, linçimi që i është bërë organizatave sindikaliste nuk janë të pranueshme, pasi që legjitimojnë zhvlerësimin e arsimit dhe figurës së arsimtarit, me theks të veçantë të sektorit publik. Nëse një sindikatë që përfaqëson punëtorët e sektorit publik linçohet deri në këtë pikë, atëherë çfarë mesazhi po japim për punëtorët e sektorit privat? Qysh do t’i kërkojnë ata të drejtat e tyre, të cilët as pjesë të sindikatave nuk mund të jenë.

Një qasje e tillë nga Qeveria, e ardhur nga një parti e majtë nuk është pritur, përkundrazi është pritur besim në organizata që janë të angazhuara për sigurimin e të drejtave dhe mbrojtjen e integritetit të punëtorit, pa e paragjykuar strukturën udhëheqëse të saj pasi që janë koncepte në të cilat është i bazuar orientimi politik i partisë që udhëheq me Qeverinë.

Në anën tjetër, sindikatat, sidomos ajo e arsimit që është në fokus të këtij shkrimi, janë organizata që angazhohen për përmirësimin dhe zbatimin e politikave që kanë për qëllim përmirësimin e pozitës së punëtorit të arsimit në përmbushjen e përgjegjësive kontraktuale. Andaj veprimtaria e tyre ka funksionin e përfaqësimit, rregullatorit, udhëheqjes dhe funksion të administrimit publik.

Në Kosovë, anëtarësia në sindikata dhe mbrojtja e punëtorëve e ka bazën ligjore në Ligjin e Punës, Kontratën e Përgjithëshme dhe secili sektor i ka kontratat sektoriale, zbatimi i të cilave kërkon Dialog Social në mes të përfaqësuesve të sindikatave, Qeverisë dhe akterëve tjerë relevant.

Në fushën e arsimit, akt i njohur ligjor bazuar në të cilin kërkohet përmirësimi i pozitës së punëtorit të arsimit është Kontrata kolektive, e cila për herë të parë hyri në fuqi më 18.04.2017, dhe u vazhdua më 21.01.2021. Këto kontrata kolektive, që konsiderohen ndër arritjet kryesore të sindikatave, janë nënshkruar kryesisht në prag të zgjedhjeve.

Kontrata kolektive ka paraparë përfaqësim të interesit të punëtorëve përmes SBASHK-ut në nivel të politikbërjes në nivel qendror dhe lokal. Përveç kësaj, Sindikata mund të ketë përfaqësim dhe pjesëmarrje në cilësinë e monitoruesit pa të drejtë vote në komisione vlerësuese, në përzgjedhje të punonjësve të arsimit në të gjitha nivelet, nga ai parafillor në atë universitar. 

Përkundër faktit që përfaqësimi dhe mbrojtja e interesit të punëtorëve është njëra nga funksionet që duhet ta kryejë SBASHK-u, kjo Sindikatë nuk është aktive në të gjitha rastet. Një prej të drejtave është edhe një konkurs i rregullt dhe i bazuar në meritë, por kjo shumë rrallë arrihet në punësim të mësimdhënësve. Por, në këtë aspekt shumë pak është bërë. 

Po ashtu, Kontrata kolektive, punëtorëve të arsimit iu njohu kompensimin mbi bazën e licencimit, për shujtë, udhëtim dhe pagë jubilare. Realizimi i këtyre të drejtave nuk është bërë në mënyrë të njëjtë nga të gjithë mësimdhënësit, sepse punëdhënësi ka refuzuar që t’i zbatojë. Qeveria e ka nënshkruar Kontratën kolektive, por nuk ka ndarë buxhet për mbulimin e kostove që dalin nga kjo kontratë, prandaj punëtorët janë detyruar që t’i drejtohen gjykatës. Problemi është që ka raste që gjykatat e Kosovës nuk i kanë trajtuar në mënyrë unifikuar këto padi dhe për pasojë ndonjë mësimdhënësi nuk i është miratuar padia e të tjerëve po.

Sindikata si nënshkruese e Kontratës kolektive thuhet se i mbron të drejtat dhe interesin e anëtarësisë së saj. Ndërsa, në nenin 5.2 të Kontratës kolektive shprehimisht thuhet “anëtarë” të SBASHK-ut konsiderohen vetëm ata punonjës të arsimit që janë deklaruar me shkrim për anëtarësimin në SBASHK”.

Interpretimi i këtij neni që definon statusin e anëtarit apo jo me Kontratën kolektive, në fakt sjell shumë pyetje të cilat asnjëherë nuk janë sqaruar. E para, sa anëtarë i ka SBASHK-u dhe a janë gjithë mësimdhënësit pjesë e Sindikatës. Në rast se nuk janë pjesë e Sindikatës të gjithë mësimdhënësit, atëherë a kanë të drejtë ata që të hyjnë në një grevë që është filluar nga Sindikata. Por, gjithashtu është edhe një dilemë nëse për t’u futur në grevë apo për të ndërprerë atë, a kanë votuar vetëm mësimdhënësit që janë pjesë e Sindikatës.

Përveç kësaj, ndërprerja e grevës që u bë vetëm në një numër simbolik të shkollave që janë kryesisht në kryeqytet dhe komuna afër kryeqendrës, janë rezultat i debatit brenda Sindikatës dhe pavarësisë së saj në nivel shkolle e komune apo që punonjësit e këtyre shkollave nuk janë anëtarë të Sindikatës.

Shembujt e tillë janë tregues që SBASHK-u nuk tregoi konsistencë në përdorimin dhe referimin e tij në Kontratën Kolektive të Arsimit, nuk i shtjerri të gjitha instrumentet sindikaliste për të adresuar kërkesat e saj në mënyrë që të marr pozicion si palë konstruktive dhe e interesuar për Dialog Social.

Kjo grevë që duket se do të përfundojë shpejt është një prej rasteve të studimit se si nuk duhet të veprohet. E para, qeveritë më nuk duhet të injorojnë kërkesat e sindikatave, në atë mënyrë që as mos të diskutohet më to paraprakisht. Ministritë e më pas edhe Qeveria duhet të jenë proaktive dhe të kenë dialog sociale të sinqertë me sindikatat në atë mënyrë që të binden ato për kufizimet buxhetore për plotësimin e secilës kërkesë të tyre.

Fillimi i dialogut social me paragjykime se një sindikatë është instrument i opozitës kundër qeverisë është hap i gabuar dhe u dëshmua tashmë që mund të sjellë dëme në shoqëri, siç ishte greva njëmujore në arsim. 

Në anën tjetër edhe sindikatat duhet të adresojnë të gjitha dobësitë që i kanë, në atë mënyrë që mos të merren vendime ekstreme siç është greva, para se t’i shfrytëzojë instrumentet tjera sindikale.

Pasojat e një mungese të Debati Social janë duke i vuajtur fëmijët, ndërsa ky vit mësimor do të fillojë me imazh të zbehur të mësimdhënësëve. Mbyllja e shkollave publike për një kohë kaq të gjatë mund të prodhojë edhe një efekt tjetër të dëmshëm për shoqërinë tonë, siç është munegsa e dëshirës që të vijohet mësimi në shkolla publike. Pra, rrezikojmë që të thellojmë ndarjen shoqërore në të pasur dhe të varfër, në fëmijë që shkojnë në shkolla në publike apo private.

Një kërcënim i tillë nga situata aktuale në vend duhet të jetë alarmant jo vetëm për prindërit, fëmijët, por për vetë SBASHK-un, Qeverinë dhe akterët tjerë të angazhuar në këtë situatë.

Autorja Dhurata Prokshi është sociologe.