KDI: Ramiz Kelmendi më së paku paraqitje në seanca

Instituti Demokratik i Kosovës ka publikuar platformën “Vota ime” në të cilën ka treguar pjesëmarrjen e deputetëve në seanca të Kuvendit të Kosovës.

Sipas kësaj platforme, deputeti me pjesëmarrjen më të ulët në seanca po figuron të jetë Ramiz Kelmendi nga (LDK). Përqindja e pjesëmarrjes së tij në Kuvend është vetëm 42 për qind.

Më mirë se Kelmendi, në aspektin e angazhimit të pjesëmarrjes në seanca po del të mos ketë qëndruar as bashkëpartiakja e Kelmendit, Teuta Rugova. Pjesëmarrja e deputetes së LDK-së Teuta Rugova në seanca ka qenë vetëm 45 për qind.

Kurse deputeti nga Grupi i Deputetëve të Pavarur, Frashër Krasniqi i cili kishte qëndruar një kohë në arrest shtëpiak dhe pastaj në paraburgim, qëndron më mirë se Kelmendi dhe Rugova rreth pjesëmarrjes në seanca. Përqindja e pjesëmarrjes së deputetit Frashër Krasniqi në seancat e mbajtura të Kuvendit është 52 për qind.

Ndërsa, me pjesëmarrje të njëjtë si të Frashër Krasniqit prej 52 për qind, është listuar edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gani Dreshaj.

Por, ka pasur edhe prej deputetëve të cilët nuk kanë munguar në asnjë seancë të Kuvendit. Salih Zyba nga Vetëvendosje figuron me përqindje të pjesëmarrjes prej 100 për qind.

Vetëm në katër muajt e parë të vitit 2018 janë mbajtur 15 seanca, 2 në janar, 4 në shkurt, 3 në prill dhe 6 në mars.