Kardiologët Ndalin Grevën

Kardiologët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kanë ndërprerë grevën disaditore. Lajmi është bërë i ditur nga Zyra për Informim e QKUK-së.

“Sot, kardiologët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kanë vendosur të ndërpresin grevën disa ditore. Tash e tutje, shërbimet kardiologjike të ofrohen normalisht. Kjo është vendosur pas takimi mes kardiologëve, ministrit të Shëndetësisë, Imet Rrahmani, me prezencë edhe të zyrtarëve të  Federatës Sindikale të Shëndetësisë, ku prezent ishte edhe drejtori përgjithshëm i SHSKUK-së, Curr Gjocaj”, thuhet në njoftim.

Pas këtij takimi ministri Rrahmani tha se është i kënaqur që kardiologët do të rifillojnë punën.

“Nga takimi me ta  kam kuptuar se ata nuk janë kundër hetimeve të prokurorisë dhe përkrahin ato, por kundër mënyrës si janë bërë publike ato” theksoi ministri.

I pari i shëndetësisë tha se as institucioni që ai drejton nuk është kundër hetimeve ndaj mjekëve dhe në asnjë mënyrë nuk ka bërë dhe nuk i bën presion prokurorisë.

Ndërsa kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, tha se greva është ndërprerë pas bisedave që kanë pasur me krerët e shëndetësisë.

Syla tha se janë kundër linçimit dhe etiketimit publik që po u bëhet mjekëve, por nuk janë kundër hetimeve që po bën prokuroria.

“Do të shikohen mundësitë ligjore që të kërkohet nga Këshilli Prokurorial të fillojë procedurë hetimore se si ka rrjedhë procesi. Nëse do të përsëriten raste të tilla të linçimit publik ndaj punëtorëve shëndetësorë, Sindikata do të ndërmarrë  masa radikale” tha ai.

Ndryshe, më 10 dhjetor 2014, prokurori i Prokurorisë Speciale, Besim Kelmendi, kishte kërkuar paraburgim ndaj nëntë mjekëve të dyshuar. Në mesin e të dyshuarve është edhe  ish-ministri Shëndetësisë, Ferid Agani, Sekretari i Përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani, dhe ish-drejtori i QKUK-së, Njazi Gashi.

Aso kohe, KALLXO.com kishte publikuar SMS-të e mjekësve të dyshuar në të cilat shihej se si bëhej “pazar” me pacientë me probleme me zemër, duke i referuar nga QKUK-ja për në spitale private.

http://kallxo.com/kardiologet-vazhdojne-greven-kunder-hetimeve-ne-rastin-stentat/

Një vit më vonë prokurori i Prokurorisë Speciale, Besim Kelmendi ka zgjeruar hetimet, duke përfshirë edhe mjekë të tjerë si të dyshuar të rastit “ Stenta”.

Zgjerimi i këtyre hetimeve ka bërë që kardiologët e QKUK-së të hyjnë në grevë që disa ditë me arsyetim se po u bëhet linçim publik.

 

LVV: Krimi në shëndetësi, i lidhur me pushtetin!

Rasti “Stenta” dhe greva e kardiologëve është trajtuar të dielën në një konferencë për medie nga Lëvizja Vetëvendosje, sipas të cilës qytetarët e vendit janë tronditur për mënyrën se si është trajtuar shëndeti i tyre dhe i familjarëve.

Zyrtari i kësaj partie opozitare, Mirsad Shkreta, ka thënë se problemi i fundit lidhur me Klinikën e Kardiologjisë është vetëm një nga problemet e shumta në shëndetësinë e Kosovës.

“Në mënyrë të vazhdueshme kemi denoncuar problematikën në shëndetësinë kosovare, e cila është e lidhur jo vetëm me Klinikën e Kardiologjisë, por edhe me mentalitetin qeverisës, i cili në krye ka dy partitë, PDK-në dhe LDK-në” ka thënë ai.

E themi këtë, ka shtuar ai, sepse Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë janë përgjegjëset kryesore për orientimin e politikave, zhvillimin, monitorimin dhe vitalizimin e sektorit të shëndetësisë.

Shkreta ka thënë se kanë fakte se e tërë problematika qëndron në infrastrukturën ligjore dhe mbështetjen që klanet e caktuara, të lidhura me krimin e organizuar, manipulojnë dhe përfitojnë shuma marramendëse dhe se këto klane janë të lidhura direkt me partitë në pushtet.

“Këtë e themi për arsye se qysh në kohën e ministrit Agani ne kemi denoncuar shkeljet që janë bërë dhe udhëzimet administrative që janë bllokuar dhe i njëjti mentalitet qeverisës ka vazhduar edhe me ministrin aktual Rrahmani”, ka theksuar Shkreta.

“Ne kemi denoncuar edhe mënyrën si i janë qasur edhe sektorit privat, duke lejuar të futen brenda territorit të QKUK-së dhe tashmë po shihet se këto kanë qenë vetëm skema përfituese, të udhëhequra nga njerëz të fuqishëm në Ministrinë e Shëndetësisë, duke filluar nga ministri, sekretari permanent, Gani Shabani, drejtori i SHSKUK-së Curr Gjocaj, për të përfunduar te drejtori i Kardiologjisë, Gani Bajraktari dhe miqtë të tij. Të gjithë këta janë njerëz të lidhur me pushtetarët dhe koalicionin qeverisës dhe janë pjesë e këtyre skemave, jo të atyre shifrave që i keni parë, por i shifrave multimilionëshe të cilat u zhvatin qytetarëve dhe nuk e kursejnë as jetën e tyre”, ka thënë ai.

Sipas Mirsad Shkretës problemi më i madh nuk është udhëzimi i pacientëve në klinikat private. “Problemi është se pse nuk funksionalizohet Kardiokirurgjia. Kjo e shpjegon skemën mashtruese. Ju e dini se edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ai aktual, Imet Rrahmani, kanë prerë shirita për funksionalizimin e Kardiokirurgjisë, e megjithatë kjo klinikë nuk është në funksion”, ka potencuar ai.

“Njëkohësisht miratohet në mënyrë të vazhdueshme fondi milionësh për trajtime të pacientëve jashtë sektorit publik. Që do të thotë se është në diskrepancë të plotë me qasjen dhe investimet në sektorin publik. Njëkohësisht ndajnë fonde për trajtimin e pacientëve në sektorin privat”, u shpreh Shkreta, i cili përsëriti se Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht ka denoncuar këtë lloj mentaliteti dhe këtë lloj qasje në sektorin e shëndetësisë, e cila prapa ka skema përfituese, të lidhura me krimin e organizuar, i cili ka mbështetjen e partive politike.

Shkreta ka ftuar qytetarët që të dalin në mënyrë masive në protestën e 17 shkurtit, në Prishtinë, duke theksuar se largimi sa më i shpejtë i bartësve të këtij mentaliteti qeverisës është zgjidhja e vetme që qytetarët i nxjerr nga ky kurth i krimit të organizuar dhe i shthurjes institucionale.