Biznese e shoqata e institucioneve financiare japin vërejtje e sugjerime rreth Projektligjit për Kamatëvonesat- Foto: KALLXO.com

Jepen Vërejtje rreth Projektligjit mbi Kamatëvonesat

Komisioni për Zhvillim Ekonomik pas miratimit të Projektligjit për Kamatëvonesën kishte ftuar në dëgjim publik bizneset private dhe shoqatën e institucioneve financiare për të dhënë kritikat dhe sugjerimet, në mënyrë që Projektligjit të përmirësohet dhe plotësohet.

Ilir Gaxha nga shoqata e institucioneve financiare dha disa vërejtje dhe sugjerime lidhur me Projektligjin në fjalë duke theksuar se ai i ka përjashtuar kamatëvonesat mes personave fizikë-juridikë dhe institucioneve financiare.

“Shqetësimet tona lidhur me Projektligjin është se ky ligj si fushëveprim e ka përjashtu kamatëvonesën e cila aplikohet për transaksionet mes personave fizikë-juridikë dhe institucioneve financiare. Nga ana tjetër e kemi të qartë që institucionet financiare të licencuara në Kosovë do të rregullohet me një akt nënligjor të Bankës Qendrore (BQK), andaj ne presim prej BQK-së pas miratimit të Ligjit të nxjerrë një rregullore të veçantë që do të shqyrtojë mënyrat, aplikimin kohëzgjatjen, afatet si do të rregullohet kjo fushë”, tha Gaxha.

Blerim Grainca si kryesues i grupit punues për Projektligjin e Kamatëvonesave theksoi se ky ligj është për përkrahjen e biznesit sepse nga praktika kuptohet se për shkak të vonesave në pagesa shumë kompani kanë falimentuar.

“Nga praktikat e deritanishme në mungesë të këtij ligji na ka ndodhur që për shkak mosefikasitetit në pagesa ka rezultuar edhe falimentimi i kompanive, por nganjëherë edhe institucionet tona publike shpeshherë janë treguar të papërgjegjshme duke i vonuar pagesat ndaj kompanive. Unë mendoj se ky ligj do t’i evitojë këto probleme sepse ne jemi këtu për ta përkrahur biznesin”, tha Grainca.

Drejtori financiar nga kompania “Uji Rugova” Besart Shatri kërkonte që të formohej një institucion i cili do të menaxhonte aplikimin e ligjit në praktikë.

“Si biznes privat e mbështesim këtë ligj sepse shpeshherë vonesat në pagesa shkaktojnë edhe ngecjen në funksionimin e biznesit. Ligji po e përcakton mesataren e normës së ndëshkimit diku rreth 8 për qind nga BQK që do të shpallet në baza gjashtëmujore, por neve na intereson se a do të ketë ndonjë institucion i cili do të menaxhojë në vazhdimësi këto vonesa të pagesave mes bizneseve”, tha Shatri.

http://kallxo.com/kosova-behet-ligj-per-kamatevonesen/