Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Grainca: Kandidaturat e shumta tregojnë se në LDK ka demokraci

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së dhe ish deputeti i kësaj partie, Blerim Grainca, në emisionin “Kallxo Pernime” tha se LDK është partia në të cilën ka më shumë demokraci se në të tjerat.

Sipas tij, numri i madh i kandidaturave është fakt se ka demokraci.

“Fakti që ka shumë flitet për LDK-në, tregon që ka shumë demokraci në LDK”, tha Grainca.

“Figurat që kanë shpallur kandidaturat ne i njohim, të gjithë kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme për LDK-në”, tha në mes tjerash ai.

Sipas tij, në këtë fazë, LDK është duke u marrë me veten dhe jo me Vetëvendosjen.

“Në këtë fazë nuk mendojmë për Lëvizjen Vetëvendosje, ne po merremi veç me veten. Ne ia kemi uruar LVV-së, tash i kemi temat tona të brendshme”, shtoi ai.

Grainca ka folur edhe për dy kandidaturat për kryetar të LDK-së, Lumir Abdixhikun e Lutfi Haziri.

“Secili prej kandidatëve ka përparësitë dhe mangësitë e veta. Lutfi Haziri ka një karrierë të hatashme në LDK, është njeri i shumë fitoreve të LDK-së, një menaxher i mirë, që mundet me sjellë një unitet të LDK-së. Mendoj që z. Haziri i është bërë e padrejtë, sepse mendoj që në 2017 është dashtë të jetë kandidat për kryeministër. Lumiri është një djalë i ri, me një përgatitje që ka një platformë pak më ndryshe, ndër më të votuarit, i ka hyrë garës për ndryshim, duke e ruajtur atë ADN-në e LDK-së”, tha Grainca.

Të dielën me 14 mars, LDK do të mbajë kuvendin zgjedhor ku pritet të zgjedhë kryetarin e ri të partisë dhe kryesinë e re.