Alkooli fals i sekuestruar. Foto: Policia e Kosovës

‘Jack Daniels’ i Falsifikuar në Leposaviq

Për pijet të cilat janë falsifikuar në fabrikën e zbuluar nga policia,  KALLXO.com ka kontaktuar Zëvendës Drejtorin e Policisë për Veriun e Mitrovicës, Besim Hoti, i cili tha se janë gjetur pije të ndryshme të falsifikuara.

“Kemi gjetur të falsifikuar, vena të llojeve të ndryshme, visky, jack daniels, alkool të ftonit dhe disa pije të tjera”, tha Hoti.

Policia para pak minutave doli me një njoftim lidhur me aksionin e djeshëm nga i cili janë sekuestruar pajisje të ndryshme dhe është arrestuar një person.

Më herët, Policia e Kosovës njoftoi se ka zbuluar fabrikën për prodhim dhe vënie në qarkullim ilegal të pijeve të falsifikuara alkoolike, ndërsa nga ky aksion policor është arrestuar një person dhe janë sekuestruar pajisje të shumta.

Aksioni policor ishte zhvilluar të mërkurën në fshatin Banoviqe të Leposaviqit

“Gjatë analizave dhe përpunimit të të dhënave operative, bazuar në autorizimet përkatëse nga prokurori i shtetit, Policia e Kosovës, ka realizuar bastisjen e tri lokacioneve të ndryshme në kuadër të komunës së Leposaviqit, një në fshatin Banoviqe ku është identifikuar laboratori dhe dy të tjera bastisje në Leshak të Leposaviqit, ku është identifikuar një depo dhe bastisja e një hapësire banesore, ku janë gjetur dhe sekuestruar material i provave të cilat do të përdoren për ndërmarrjen e veprimeve të mëtutjeshme ligjore”, thuhet në njoftim.

Nga i gjithë ky aksion policorë, janë sekuestruar nga ana e policisë,  pajisjet (makinerinë) ilegale për prodhimin dhe mbushjen e pijeve alkoolike, ambalazhe për mbushjen e pijeve të ndryshme alkoolike, një sasi të shumtë të etiketave për pije të ndryshme alkoolike, kapak për mbyllje të shisheve, si dhe ambalazhe për paketimin dhe distribuimin e mëtejmë.

“Lidhur me rastin e regjistruar, Policia e Kosovës ka identifikuar dhe ka arrestuar një person, si të dyshuar lidhur me veprimtari kriminale sipas nenit 267 të Kodit Penal të Kosovës “prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë” dhe nenit 306 “prodhimi i ndaluar””, thuhet më tutje në njoftim.

Të gjitha veprimet e mëtejme hetimore lidhur me sekuestrimin dhe procedimin e provave të mbledhura sipas policisë,do të zhvillohen nga hetuesit e njësisë përkatëse të hetuesve rajonalë të Drejtorisë së Policisë të Mitrovicës veri, në konsultim me prokurorin e Shtetit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

alkool1
Alkooli fals i sekuestruar. Foto: Policia e Kosovës
alkool2
Alkooli fals i sekuestruar. Foto: Policia e Kosovës
lkool3
Alkooli fals i sekuestruar. Foto: Policia e Kosovës