Gjykimi i ish-zyrtarit t9 bankës | Foto: KALLXO.com
ish-Zyrtari i Bankës Fajtor për Dëmin prej 41 Mijë Eurove
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor Jusuf Arifin si kryerës të veprës penale keqpërdorimi i autoritetit zyrtar.
Aktakuza thotë se i akuzuarit Arifi në cilësinë e ish- shefit të shërbimeve të jashtme të Bankës për Biznes, i ka shkaktuar dëm të njëjtës në shumë prej 40,933.17 euro.
Ish- zyrtarit të Bankës për Biznes i është shqiptuar dënim me kusht në kohëzgjatje prej 1 viti, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohet nëse nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale në kohëzgjatje prej 2 vjetëve.
Kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu- Selimaj, bëri të ditur se i akuzuari Arifi po ashtu do t’i paguajë edhe shpenzimet gjyqësore, si dhe në emër të paushallit do të paguajë vlerën prej 50 eurove.
Sipas aktakuzës të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i akuzuari Arifi përmes transaksioneve ndërkombëtare të bëra qëllimisht, i ka shkaktuar dëm “BpB”-së në shumë prej 40,933.17 euro.
Gjithnjë sipas aktakuzës, e gjithë kjo është bërë me qëllim që vetes t’i sjellë dobi pasurore, pasi që ka bërë debitimin e llogarisë së bankës duke bërë pagesa ndërkombëtare pa mbulesë.