Kurti kërkon dënim maksimal për të dyshuarit: Liridona Ademaj u vra me paramendim, u vra se ishte grua
“Liridona Ademaj u vra me paramendim. U vra se ishte grua”- ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti ka shkruar në Facebook se gratë dhe vajzat po vazhdojnë të vriten, “gjersa normat shtypëse patriarkale ende janë të shpërndara gjerë”.
Kryeministri ka shtuar se arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton.
“Barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bie mbi supet e grave dhe vajzave, përderisa kryesit e krimeve nuk marrin dënime meritore” – thuhet në publikimin e tij.
Kurti ka kërkuar që të dyshuarit të marrin dënimin maksimal. Kjo sipas tij bëhet me sistem prokurorial e gjyqësor efektiv dhe të vetëdijshëm për detyrën që bartin.
Ai shkruan se për tu parandaluar këto krime makabër duhet të punojmë secili e secila në secilën fushë. Vetëm kështu zhduket kultura partiarkale e mizogjene si dhe maskuliniteti i dhunshëm e toksik, sipas Kurtit.
“E qytetarët e Republikës presin nga zyrtarët publikë që punojnë (apo kanë punuar) në institucionet shtetërore se duhet të jenë shembull pozitiv e progresiv në shoqëri për sjelljen e tyre ndaj partnerëve dhe në familje e jo kriminelë a mujsharë që besojnë se ia dalin”, përfundon shkrimin Kurti.
Liridona Murseli, 30-vjeçare, është vrarë më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht, Policia e Kosovës, e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.
Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia njoftoi për arrestimin e dy personave të dyshuar: dorasin G. P. dhe Naim Murselin, bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.
Më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ka konfirmuar se i dyshuar i tretë në këtë rast është edhe K.K., pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Të tre të arrestuarve për këtë rast, të dielën iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditëve.
Dosja e Prokurorisë për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt – ‘Unë ta zgjidhi këtë punë’