Pllaka në zyrën e avokatisë së Agron Selimajt | Foto: KALLXO.com

Ish- Shefi i AKI-së Tani Avokat

Pasi dha dorëheqje nga pozita e numrit një të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Agron Selimaj ka nisur të punojë si avokat.

Selimaj tha për KALLXO.com se tash e një muaj e është duke ushtruar profesionin e avokatit dhe është vendosur me zyrë në qendër të kryeqytetit.

Ish-shefi i AKI-së tregoi se edhe më herët kishte punuar si avokat.

“Prej datës 17.03.2007 jam i licencuar avokat. Pas emërimit tim në Agjenci, unë kam pezulluar përkohësisht aktivitetin e avokatit, pra prej datës 09.09.2009.  Pas kërkesës sime për lirim nga detyra në Agjenci dhe pas pushimit njëmujor, unë kam paraqitur kërkesë në Odën e Avokatëve të Kosovës për pushimin e pezullimit tim të përkohshëm. Oda ka vendosur pozitivisht dhe që nga muaji mars 2017 ushtroj profesionin e avokatit në Prishtinë”, tha Selimaj.

I pyetur nëse po merr pagën e cila i takon për një vit rresht nga ana e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë në bazë të Ligjit për Përfitimet e Zyrtarëve të Lartë, Selimaj shtoi se beson që shumë shpejt do ta marrë këtë pagë.

“Sa i përket pagesës, besoj se vendimi i Qeverise do të fillojë të zbatohet në një të ardhme shumë të afërt”, shtoi ai.

Selimaj drejtoi Agjencinë Kosovare të Inteligjencës për dy vjet.

Ai dha dorëheqje më 27 janar të këtij viti.

Në letrën zyrtare të dorëheqjes që ua drejtoi Presidentit Hashim Thaçi dhe Kryeministrit Isa Mustafa, Selimaj arsyetoi dorëheqjen me fjalët se dëshironte t’i përkushtohej familjes.

Para se të emërohej si drejtor në AKI, Selimaj, ka ushtruar detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI nga data 9 shtatori i vitit 2009 deri më 2015.

http://kallxo.com/doreheqja-e-agron-selimajt-per-te-nisur-kapitull-te-ri/