Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Gjykata ia ndalon një kompanie në Kosovë të importojë pijet ‘Coca-Cola’, 'Fanta' dhe 'Sprite' pa autorizim

Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës së Prishtinës sipas të cilit i ishte ndaluar kompanisë ‘Frutin Company’ të importonte pijet “Coca-Cola”, ‘Fanta’ dhe ‘Sprite’, pa marrë autorizimin përkatës dhe deri në një vendimin përfundimtar.

Gjithashtu, në vendimin e Gjykatës së Apelit, që e mban datën 22 janar 2022, urdhërohet që Inspektorati për mbikëqyrjen e tregut të konfiskojë dhe të largojë nga tregu i Kosovës të gjitha produktet e ‘Coca-Cola Company’, të cilat janë importuar nga kompania ‘Frutin’.

Po ashtu, edhe Dogana e Kosovës, sipas vendimit, është urdhëruar që të ndalojë, konfiskojë dhe të mos i lirojë për qarkullim në treg të gjitha produktet e ‘Coca-Cola Company’, të importuara nga ‘Frutin Company’.

Në anën tjetër, Gjykata e Apelit ka refuzuar propozimin e ‘Coca-Cola Company’, e cila kishte kërkuar që të vërtetohet se ‘Frutin Company’ ka importuar dhe vendosur në tregun e Kosovës 18 mijë e 432 shishe të pijes ‘Coca-Cola’, 3 mijë e 72 të ‘Fanta’ dhe 307 të ‘Sprite’, të trija 2-litërshe, pa autorizim dhe pëlqim të kompanisë.

Gjithashtu, është refuzuar propozimi i ‘Coca-Cola Company’, e cila ka kërkuar që të vërtetohet se ‘Frutin Company’, me importimin e pijeve pa autorizim, ka shkelur markën e regjistruar në Kosovë për të trija pijet e lartëpërmendura.

Gjykata e Apelit ka detyruar ‘Frutin Company’, Inspektoriatin e Tregut si dhe Doganën e Kosovës që të zbatojnë këtë vendim gjyqësor, deri në vendosjen meritore dhe të plotfuqishme të kësaj çështjeje gjyqësore.

Ndaj pikës pesë dhe gjashtë të vendimit, në të cilat pika janë refuzuar propozimet e ‘Coca-Cola Company’, kjo e fundit  kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, por që Gjykata e ka hedhur poshtë si të pabazuar.

Ndërsa ndaj pikës katër dhe shtatë të vendimit të Themelores, kishte ushtruar ankesë Dogana e Kosovës. Gjykata e Apelit e ka hedhur poshtë edhe këtë ankesë, me arsyetimin se Dogana në këtë rast nuk është palë ndërgjyqëse.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Agron Selimaj, avokat i ‘Coca-Cola Company’ ka thënë se momentalisht në Kosovë licencën për importimin e pijeve të lartëcekura e ka vetëm një kompani.

“Në Kosovë momentalisht vetëm ‘Coca – Cola HBC’ e ka të drejtën dhe autorizimin e importimit dhe shitjes së këtyre tri pijeve në vendin tonë. Ne jemi në gjyq në katër raste, rreth importit dhe shitjes së paautorizuar të këtyre pijeve. Kjo që po pyesni ju është rreth caktimit të masës së sigurisë për ‘Frutin’, ndërsa rasti gjyqësor ende nuk ka filluar”, ka thënë Selimaj përmes telefonit.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Fisnik Sogojevën, avokat i kompanisë ‘Frutin’, por i njëjti nuk ka pranuar të deklarohet, duke thënë se sot është e diel – ditë pushimi dhe nesër (e hënë) mund të deklarohet rreth rastit.