Stjepan Mesiq, Foto: EPA/Valdrin Xhemaj

Ish-Presidenti Kroat Refuzon Çmimin ‘Qytetar Nderi’ i Sarajevës

Stjepen Mesiq ka thënë se nuk dëshiron të pranojë çmimin që e bën atë ‘Qytetar Nderi’ të Sarajevës, pasi kryeqyteti boshnjak shfuqizoi një vendim të mëparshëm për të nderuar fituesin turk të çmimit Nobel, Orhan Pamuk.

“Para së gjithash, duhet të informohesha që unë isha i nominuar për çmimin ‘Qytetar nderi’, sepse unë nuk e dija. Nuk kam zyrtarisht asnjë informacion se unë jam zgjedhur”, tha ai.

“Dhe pastaj … kur dëgjova se procedura ishte krejtësisht e ndryshme, Orhan Pamuk një herë mori të gjitha votat e komisionit [për çmimin], dhe pastaj papritmas shpallem unë si qytetar nderi … kjo nuk përshtatet me mua”, tha Mesiq për ‘Al Jazeera Balkans’.

Botuesi boshnjak dhe libraria ‘Buybook’ nominoi Pamukun për çmimin ‘Qytetar Nderi’, duke vënë në dukje se Pamuku kishte planifikuar të vizitonte kryeqytetin boshnjak këtë pranverë përderisa është duke punuar në skenarin për Bosnjën gjatë luftës 1992-1995.

Drejtori i librarisë, Damir Uzunoviq i tha ‘Guardian’ të Britanisë më 20 shkurt se komisioni i çmimeve të këshillit të qytetit fillimisht mbështeti unanimisht një propozim për ta bërë shkrimtarin turk qytetar nderi.

Megjithatë, një votim i dytë i mbajtur më 14 shkurt refuzoi nominimin e Pamukut, duke e hedhur poshtë me katër vota kundër dhe tre vota për.

“Shpjegimi i komisionit të këshillit ishte se Pamuk nuk bëri asgjë ose pothuajse asgjë për qytetin e Sarajevës. Disa anëtarë të partisë në pushtet vlerësuan gjithashtu se dhënia e çmimit për Pamukun mund të zemërojë qeverinë aktuale të Turqisë”, tha Uzunoviq për ‘Guardian’.

Partia kryesore Boshnjake [Boshnjake Muslimane], Partia për Veprim Demokratik, SDA, është e afërt me qeverinë turke dhe presidentin Rexhep Tajip Erdogan.

Samir Fazliq, nga partia opozitare ‘Nasa Stranka’, i tha AFP-së më 16 shkurt se rezultati i votimit të dytë ishte pasojë e drejtpërdrejtë e “kundërshtimit të shkrimtarit ndaj politikave të presidentit Erdogan” dhe “frikës së Bosnjës … nga Erdogani”.

Zyra e kryebashkiakut të Sarajevës të martën lëshoi ​​një deklaratë për shtyp ku vuri në dukje vetëm se propozimi për të nderuar Pamukun nuk mori shumicën e nevojshme.

“Më 14 shkurt 2018, u diskutua për propozimin për dhënien e çmimit ‘Qytetar Nderi’ për Stjepan Mesiq. Ky propozim u mbështet nga të shtatë anëtarët e Komisionit, pra miratuar unanimisht”, thuhej në deklaratën e shtypit e kryetarit, Abdulah Skaka.

Megjithatë, Këshilli i Qytetit të Sarajevës ka miratuar vendimin e tij për të dhënë çmimin ‘Qytetar Nderi’ i Sarajevës ish-presidentit kroat, Stjepan Mesiq në sesionin e tij të mërkurën.