Kushtetuesja refuzon kërkesën e deputetëve të PDK-së për vlerësim të kushtetutshmërisë së seancës së “grushteve”

Gjykata Kushtetuese ka refuzuar kërkesën e 11 deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët kanë kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së caktimit të seancës së 13 korrikut në të cilën kishte pasur përleshje fizike mes deputetëve të kësaj partie dhe kabinetit qeveritar.

Në këtë seancë ishin marrë vendime të rëndësishme, me ç’rast ishin miratuar edhe ligje për të cilat ishte diskutuar gjatë në opinion publik.

“Gjykata, njëzëri, ka vendosur që të deklarojë kërkesën e papranueshme për shqyrtim në merita sepse e njëjta nuk është ratione materiae në pajtim me Kushtetutën” – thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Sipas vendimit të Gjykatës, vendimi për caktimin e seancës nuk i është nënshtruar votimit nga deputetët e Kuvendit dhe për pasojë nuk mund të cilësohet si “vendim i miratuar nga Kuvendi”, rrjedhimisht nuk mund t’i nënshtrohet vlerësimit meritor të Gjykatës.

Ky vendim nuk ndërlidhet e as nuk ndikon dy vendimet e Kuvendit që ishin miratuar në këtë seancë, të cilat janë kontestuar ndaras në Gjykatë nga deputetë të Kuvendit. Këto dy vendime janë shkarkimi i Kimete Gashit nga pozita e anëtares së bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe miratimi i Ligjit për pagën minimale.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, kishte thënë se seanca e 13 korrikut ishte caktuar në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Rregulloren e punës së Kuvendit dhe siç ka thënë ai, kryeparlamentari ka bërë shkelje kushtetuese në dy drejtime.

Deputetët e PDK-së kishin kërkuar edhe pezullimin e të gjitha vendimeve të marra në këtë seancë, kërkesë kjo e cila ishte refuzuar nga Kushtetuesja më 1 gusht.

Refuzimin e kërkesës për pezullim të vendimeve, Gjykata e ka bërë me arsyetimin se parashtruesit e kërkesës nuk kanë paraqitur ndonjë dëshmi apo arsyetim se pse pezullimi i vendimeve në fjalë i kontribuon evitimit të rreziqeve apo dëmeve të pariparueshme, kështu duke i kontribuar edhe interesit publik.