Nobelisti i letërisë, Orhan Pamuk, Foto: Murad Sezer/Reuters

Pse u shty vizita e shkrimtarit Orhan Pamuk në Prishtinë? Flasin nga Ministria e Kulturës

Shkrimtari i njohur turk, Orhan Pamuk njoftoi sot gjatë ditës se vizita e tij e paraparë për 24-26 maj në Prishtinë është shtyrë për në një datë tjetër, gjatë kësaj vjeshte.

Sipas Ministrisë së Kutlurës, kjo shtyrje ka ndodhur për shkak të keqmenaxhimit të agjendës së Pamukut nga ekipi i tij.

Zana Fetiu, këshilltare për media e ministrit të MKRS-së tha për KALLXO.com se kjo shtyrje është bërë si shkak i keqmenaxhimit të agjendës.

“Ka pasur një keqmenaxhim të agjendës nga ekipi i tij, të cilët kanë rezervuar të njëjtat data për 2 aktivitete të ndryshme. Aktiviteti tjetër ku do të marrë pjesë shkrimtari, është një detyrim të cilin e ka konfirmuar para konfirmimit për vizitën në Kosovë, rrjedhimisht nuk ka mundur ta anulojë assesi. Të gjitha këto të dhëna mund të konfirmohen në bazë të komunikimit me z. Pamuk dhe ekipin e tij.” – ka thënë Fetiu.

Më herët, MKRS bëri të ditur përmes një njoftimi se vizita e planifikuar e shkrimtarit të njohur turk, Orhan Pamuk është shtyrë për në vjeshtë.

MKRS publikoi edhe një video-mesazh të Pamukut për lexuesit e Kosovës ku thotë se vizitën do ta realizojë në vjeshtë.

“Të dashur lexues nga Kosova. Për arsye që nuk varen nga unë, më duhet të shtyjë vizitën time të paraparë për këtë muaj, por definitvisht do të takohemi këtë vjeshtë. Ju lutem pranoni kërkim faljen time dhe shihemi në vjeshtën e këtij viti”- ka thënë Pamuk.

Orhan Pamuk konsiderohet një prej shkrimtarëve më të njohur sot në botë. Ai është fitues i çmimit Nobel. Romanet e tij janë të përkthyera në shumë gjuhë botërore.

VIDEO – Shtyhet vizita e Orhan Pamuk në Kosovë