Reshat Millaku - Foto: Atdhe Mulla

Ish-kryeprokurori i Speciales mbron ‘Currin’, ishte konsultuar për rastin

Ish-kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Reshat Millaku, i cili së fundi është angazhuar mbrojtës i Ismet Osmanit, i njohur si “Curri”, që po dyshohet për fajde, mashtrim dhe detyrim, është deklaruar në lidhje me lajmet të cilat po qarkullojnë në media.

Millaku tha për KALLXO.com se Ismet Osmani nuk është hetuar nga Prokuroria Speciale por vetëm ka shkuar si rast nga dy policë hetues, për t’u parë nëse është për t’u hetuar nga Prokuroria Speciale.

“Në atë kohë kanë ardhë dy policë hetues, kanë ardhë veç me u këshillu se në atë kohë kryeprokurore ka qenë Isabelle Arnal, dhe është dashtë çdo dokumentacion, çdo kallëzim me u përkthye në gjuhën angleze për me vendos a me marrë Prokuroria Speciale a jo, edhe unë e kam pa se aty është mashtrim i pastër edhe u thash çone në themelore”, tha Millaku.

Ai shtoi se as që i kujtohet emri i Ismet Osmanit.

“As që kujtohet emri i Ismet Osmanit. Ai as që është përmendur në atë kohë se ka qenë një deklaratë e shkurtë, nuk ka pasur as përgjime e as nuk kanë qenë deklaratat e tyre”, shtoi ish- kryeprokurori.

Sipas tij policët hetues kishin shkuar vetëm për t’u këshilluar dhe në mënyrë që të mos bëheshin shumë përkthime u kishte dhënë mendimin e tij për ta dërguar në themelore.

“Unë jam kryeprokuror prej gushtit 2016. Ajo ka ndodhur në vitin 2013, ata kanë ardhë me u këshillu për mos me u bë shumë përkthime, kam thanë mendimi jem është ky e ju vendosni qysh të doni”, tha avokati Millaku.

Ismet Osmani bashkë me Ilir Bojkun, Adil Thaqin dhe Mentor Maqanin po dyshohen se kanë përfituar milionat përmes fajdesë.

Të katërt do të qëndrojnë në masën e paraburgimit deri me datën 20 qershor 2019.

Në ketë rast ishte i përfshirë edhe Rrahim Hashimi, mirëpo për shkak se vepra për të cilën po dyshohet Hashimi ka arritur vjetërsimin, Gjykata i ka hedhur poshtë pretendimet ndaj tij.

Në dosjen të cilën e ka siguruar KALLXO.com, përshkruhet përfshirja e “Currit” në këtë rast.

Përfshirja e “Currit”

Prokuroria pretendon se në fund të vitit 2013, Ismet Osmani, Sami Nika dhe Ilir Bojku, kishin blerë një tokë 3 hektarëshe në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, në vlerë 600 mijë euro.

Për këtë tokë ata ia kishin paguar 250 mijë euro pronarit S.P., ndërsa pjesën tjetër të mbetur prej 350 mijë eurove e kishin ngarkuar të dëmtuarin Faton Dalladaku, të paguante në emër të fajdesë duke vazhduar t’ia mbanin shtëpinë në posedim sipas kontratës.

Sipas Prokurorisë, Ismet Osmani, Sami Nika dhe Ilir Bojku, e kishin kërcënuar Faton Dalladakun dhe i kishin shkuar në shtëpi dhe ia kishin marrë çelësin e shtëpisë në momentin kur ky i fundit kishte dështuar t’ua kthente 350 mijë eurot e marra në fillim.

Në dosje të Prokurorisë thuhet se disa muaj më vonë ata e kishin detyruar Faton Dalladakun që t’ua japë një pronë 3 hektarëshe e cila kishte vlerë rreth 900 mijë euro në këmbim të borxhit i cili deri atëherë kishte arritur në 700 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, edhe pse ia kishin marrë pronën me vlerë 900 mijë euro për 700 mijë euro borxh, ata nuk ia kishin kthyer shtëpinë në Pejton, të cilën në vitin 2017, Sami Nika ia kishte shitur Adil Thaqit.

Lidhur me këtë rast po dyshohet të ketë rol edhe i dyshuari tjetër Mentor Maqani.

Maqani dyshohet se gjatë vitit 2015 duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë të Faton Dalladakut kishte hyrë në marrëveshje verbale për t’ia blerë pronën 5 hektarëshe afër QMI-së (rruga Prishtinë- Lipjan), në të cilën kishte investime rreth 1 milion euro.

Maqani ishte pajtuar që ta blinte atë pronë për 700 mijë euro. Sipas marrëveshjes, Maqani do ta blinte  borxhin prej 450 mijë euro, me të cilin Dalladaku i detyrohej Sami Nikës, Ismet Osmanit dhe Ilir Bojkut, kurse mbetjen prej 250 mijë euro t’ia paguante.

Lidhur me ketë marrëveshje, sipas Prokurorisë, Mentor Maqani, kishte transferuar 100 mijë euro te Faton Dalladaku dhe për shumën e mbetur prej 150 mijë eurove i kishte dhënë dy vetura.

Në ketë dosje thuhet se Maqani i kishte rënë pishman për marrëveshjen dhe e kishte ndërprerë me ç’rast dy veturat të cilat ia kishte dhuruar për 150 mijë euro, ia kishte marrë prapa për 80 mijë euro dhe me anë të kërcënimit e kishte kërkuar kthimin e borxhit në shumë prej 582 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, Dalladaku për shtyrjen e pagesës së këtij borxhi kishte kërkuar ndihmën e Adil Thaqit, i cili ia kishte paguar Sami Nikës 260 mijë euro për blerjen e shtëpisë në Pejton.

Prokuroria pretendon se Adil Thaqi, i cili ishte paraqitur si ndërmjetësues, me anë të fakteve të rreme e kishte mashtruar Faton Dalladakun se kinse ai është pronar i ligjshëm i shtëpisë në Pejton edhe pse në transaksionet financiare shihet se ai nuk i ka pasur 260 mijë euro për t’i paguar.

Lidhur me këtë rast janë të dyshuar edhe dy persona E.L. dhe Z.J. mirëpo po vazhdojnë të jenë në kërkim nga Policia.