Foto-ilustrim

Nis gjykimi ndaj 16 personave për organizim të lojërave të fatit

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës më 26 maj u mbajtë seanca gjyqësore ndaj 16 personave, por që ndaj 3 prej tyre është e veçantë, në lidhje me organizimin e skemave piramidale, bixhozit të paligjshëm dhe organizimit të grupit kriminal të organizuar.

Porkuoria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 16 personave në vitin 2021. Të akuzuarit janë Shpejtim Rexha, Mentor Maqani, Flakron Maqani, Granit Nikqi, Visar Haxhijaj, Arbent Ramadani, Orhan Elshani, Fadil Bytyqi, Rrahim Bërbatovci, Qun Mengjiqi, Mentor Kika, Sefer Berisha, Fatmir Shala, Shpetim Babaj, Artan Quni dhe Ardian Hasani.

Në seancën e 26 Majit, ishin paracaktuar të dëgjohen dëshmitarët Driton Bajrami, Qëndrim Bislimi, Shpetim Janqishta, Xhemail Mustafa, Pajtimi Smakiqi, Qëndrim Binaj.

Mirëpo, vetëm 3 nga ta, Driton Bajrami, Shpëtim Janqishta, Xhemail Mustafa dëshmuan para trupit gjykues.

Prokurorja speciale, Fikrije Zejnullahu i ballafaqoi të tre dëshmitarët me deklaratat që kishin dhënë në polici, në ditën e intervenimit apo aksionit policor nëpër kazinot në fjalë, me 18 tetor 2016.

Dëshmitari Driton Bajrami deklaroi se ‘’E kam ditë që pronar i kazinos është një me emrin Mentor, ndërsa mbiemri nuk më kujtohet’’.

‘’Pronar i kazinos në Rahovec ku kam punu unë , ka qenë Arben Ramadani, ndërsa pronar kryesor është një djalë me emrin Mentor’’ –  tha dëhsmitari i dytë, Shpëtim Janqishti.

Ndërsa dëshmitari Xhemajli Mustafa theksoi se në Xërxë kishte punuar si roje në një kompani përballë.

“Veç lojtar kam qenë, 2-3 kazino kanë qenë qaty, 5 herë në ditë kom shku kam lujt, sa kom pas pare në xhep jom shku’’

‘’Ka qenë një lokal ma lartë se u mbajke mbyllur, nuk e di pse është mbajte mbyllur edhe kurrë s’jam hi në atë kazino, në të njëjtën rrugë kanë qenë 3-4 kazino, ku kom pa aparate kam hi kam lujtë herë Apex, her Coyota’’

Ndërsa në lidhje me dëshmitarët e tjerë, trupi gjykues pritet të vendos në seancat e ardhshme nëse të njëjtit nuk mund të jenë prezent.

I akuzuari Orhan Elshani, me vendim të gjykatës, do të gjykohet në mungesë por që duhet të përfaqësohet gjithmonë nga mbrojtësi i tij avokati Bujar Bërdynaj ose avokati Ridvan Kajtazi, ndërsa për të akuzuarit e tjerë Shpejtim Rexha, Shpetim Babaj dhe Fatmir Shala, trupi gjykues i përbërë nga kryetarja e trupit gjykues Violeta Namani dhe anëtarë Suzana Cerkini dhe Vesel Ismajli, kishte theksuar se është veçuar procedura.

Sipas dosjes së prokurorisë speciale, të akuzuarit Mentor Maqani dhe Granit Nikqi, ndaj të cilëve edhe është veçuar procedura kanë qenë bartësit e këtij aktiviteti kriminal në atë mënyrë që fillimisht në mënyrë të ligjshme kanë siguruar aparate për lojëra të fatit, duke licencuar po të njëjtat aparate e të cilat janë përdorur nëpër pikat e përshkruara në aktakuzë në qytete të ndryshme të Kosovës: Prishtinë, Pejë, Rahovec, Istog, Gjilan.

Në këto vende, kjo veprimtari është ushtruar në mënyrë të dublifikuar ose trefishuar që do të thotë se aparatet të cilat kanë funksionuar nëpër këto pika kanë qenë të jashtëligjshme dhe përmes tyre i’u është mundësuar përfitim i kundërligjshëm i dobisë pasurore duke bashkëvepruar me të akuzuarit e tjerë në cilësi të menaxherëve të këtyre pikave.

Sipas aktakuzës gjithnjë, i pandehuri Shpejtim Rexha, përmes licencës që kishte siguruar për ushtrimin e kësaj veprimtarie në gjithë Kosovën nën firmën “Market Plus”, më pastaj aksionet ia kishte bartur të pandehurit Flakron Maqani, i cili të njëjtën firmë e kishte regjistruar në ARBK nën firmën “Market Plus 1” dhe “Las Vegas”, në atë mënyrë që sipas marrëveshjes me të pandehurit tjerë të cilët kanë vepruar nëpër pika të ndryshme në tërë territorin e Kosovës, në vazhdimësi pa licencë dhe pa leje pune nga organet kompetente kishin siguruar dhe shpërndarë aparate të ndryshme të lojërave të fatit si: roleta, aparate të markave “Kajot” “Apec”, “Merkur” si dhe aparate të tjera të lojërave si “Keno”, aparate pa numra serik dhe aparate me numra serik të falsifikuar.

I njëjti, në cilësinë e pronarit të “Market Plus” në vitin 2009, me dashje dhe vetëdije të plotë e ka regjistruar biznesin për organizimin e lojërave të fatit dhe bixhozit dhe pas regjistrimit në bashkëpunim me të pandehurit Flakron Maqani, Mentor Maqani dhe Granit Nikqi, këto aparate të falsifikuara i kishin distribuar nëpër gjithë Kosovën.

Sipas dosjes së prokurorisë, përmes këtyre veprimeve, të njëjtit kanë përfituar dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme në shumën prej 15 mijë e 337 euro e 63 centë, specifikuar në aktakuzë.

Në seancën e shqyrtimit gjyqësor të mbajtur më 17.05.2023, të gjithë të pandehurit nuk e kishin pranuar fajësinë për akuzat që po i’u viheshin në barrë.

Seanca e radhës lidhur me këtë çështje është caktuar të mbahet me 14 qershor.

Mentor Maqani ishte arrestuar edhe në maj të vitit 2019 si i dyshuar  për veprat penale fajde dhe detyrim në rastin e grupit të njohur si grupi “Curri”.

Të njëjtit dyshoheshin se kishin përfituar miliona përmes fajdesë, detyrimit dhe mashtrimit. Në dosjen të cilën e kishte siguruar KALLXO.com në atë kohë , thuhet se gjithçka kishte filluar në qershor të vitit 2012.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, Mentor Maqani fillimisht dyshohej se gjatë vitit 2015 duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë të Faton Dalladakut kishte hyrë në marrëveshje verbale për t’ia blerë pronën 5 hektarëshe afër QMI-së (rruga Prishtinë- Lipjan), në të cilën kishte investime rreth 1 milion euro.

Mentor Maqani dhe 72 persona të tjerë ishin akuzuar nga Prokuroria e Gjilanit për disa vepra penale edhe në vitin 2021. Maqani sipas Prokurorisë në cilësinë e pronarit dyshohej se së bashku me Sherif Ilazin në cilësinë e menaxherit, nga muaji nëntor 2019 deri më 18 shtator 2020 në njërën nga objektet e vendosura në fshatin Karaçevë, kanë organizuar lojërat e fatit të cilat janë të  ndaluara me ligj.

Sipas aktakuzës, gjatë urdhër-kontrollit nga zyrtarët policorë tek objekti ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar 32 aparate të lojërave të fatit të llojeve të ndryshme pa numër serik, me çka të pandehurit me veprimet e veta, i kishin shkaktuar dëm material në shumë të papërcaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në anën tjetër Mentor Maqani ka qenë i përfshirë edhe në rastin e skandalit të Krimeve Ekonomike ku u arrestuan dy hetues dhe një rreshter.