Jovan Tintor- Foto: YouTube

Ish-Këshilltari i Karaxhiqit Akuzohet për Krime Lufte

Prokuroria shtetërore e Bosnjës ngriti një padi kundër Jovan Tintorit, duke e akuzuar për krime kundër njerëzimit në zonën e Vogoshçës, afër Sarajevës, në pranverë dhe verë të vitit 1992.

Tintor akuzohet për persekutim, burgim të paligjshëm, torturim, rrahje, detyrim të njerëzve për punë të rënda dhe vrasjen e disa boshnjakëve dhe kroatëve në disa vende të ndryshme, si dhe në kampet e burgimit dhe ndërtesa të tjera paraburgimi në Vogoshça dhe zonën përreth.

Prokuroria pretendon më tej se si pasojë e krimeve të listuara në aktakuzë, pothuajse e gjithë popullsia boshnjake dhe kroate u dëbua nga zona e Vogoshçës dhe rrethinat e saj deri në fund të vitit 1992.

Ajo pretendon se Tintor i kreu krimet gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik nga Ushtria Serbe e Bosnjës, policia dhe grupet paraushtarake kundër popullsisë civile në qytetin e Sarajevës dhe komunën e Vogoshçës, në cilësinë e tij si kryetar i Komitetit të Krizave i Partisë Demokratike Serbe në Vogoshça.

Tintor është mbajtur në paraburgim që prej arrestimit të tij në shkurt të këtij viti.

Aktakuza i është dërguar gjykatës shtetërore për konfirmim.

Radovan Karaxhiq, ish-kryetari serb i Bosnjës dhe lideri i Partisë Demokratike Serbe, u dënua për gjenocid dhe krime të tjera nga Gjykata e Hagës në mars të këtij viti. Vendimi tani është dërguar në apel.