Isa Mustafa: Nuk e Di Nga Erdhi Ideja Për Komunën e Prilluzhës

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka hedhur poshtë mundësinë që Prilluzha dhe disa fshatra me shumicë serbe përreth që aktualisht janë pjesë e komunave të Obiliqit dhe Vushtrrisë, të bëhen komuna.

Komentet e Mustafës vijnë pas një proteste që ditë më parë partitë opozitare organizuan në Vushtrri në kundërshtim të, siç e kanë cilësuar ata, planeve të qeverisë për ta krijuar një komunë të re me shumicë serbe.

“Unë nuk e di nga ka lindur ajo ide, problemi i komunës së Prilluzhës nuk është çështje që ne e kemi diskutuar në qeveri, as që e kemi mendjen me themelu komunë të re. Ne kemi për qëllim që të investojmë në komunën e Obiliqit, të investojmë edhe në fshatrat këtu të cilat janë të populluara me serb që t’u ndihmojmë në bashkëpunim me kryetarin e komunës por kurrsesi të hyjmë në themelimin e ndonjë komune të re”, tha Mustafa gjatë një vizite në komunën e Obiliqit.

Duke folur për marrëveshjet me Asociacionin e Komunave Serbe dhe asaj për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, shefi i qeverisë u shpreh i vendosur të vazhdojë punën pavarësisht kundërshtimeve dhe kërkesave të opozitës për anulimin e tyre.

“Ne po bëjmë punën tonë këtu, një punë të shkelqyeshme, po mundohemi t’i zgjidhim problemet e qytetarëve prandaj edhe opozita duhet ta bëjë punën e vet”, tha Mustafa.