Isa Mustafa - Foto: Atdhe MULLA

Isa Mustafa - Kadri Veselit: S’mund ta marrësh me qira LDK-në, për të shkuar në dialog

I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka akuzuar shtetin e Serbisë dhe kryetarin e  Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin se nuk po i ndalin provokimet, e veçanërisht ky i fundit ndaj LDK-së.

Ai ka shkruar në Facebook se tashmë ‘ka filluar një fushatë e ndyrë e udhëhequr nga Kadri Veseli, Kryetar i Kuvendit dhe i PDK-së dhe e pasuar nga lakenjtë e tij kundër LDK-së’.

“Ata kanë problem me BE-në dhe me SHBA-të që të përmbushin kushtet për dialog. Ata nuk po munden me e bindë Kryeministrin ta bëjë punën e tij në dialog e po merren me LDK-në. Ata veprojnë publikisht me tre platforma për dialog, një të Presidentit, një të Qeverisë dhe një të Komisionit të Kuvendit”, ka shkruar ai.

“Nuk është përgjegjësi e LDK-së pse koalicioni qeverisës është i dobët, pse s’ka fuqi ta përballoj dialogun, pse kryeministri i ik përgjegjësisë së tij në dialog”, thekson Mustafa.

Ai gjithashtu deklaroi se ekip i unitetit nuk mund të quhet ai brenda të cilit ka njerëz që ofendojnë, gënjejnë e shpifin.

“Mashtrohet dikush nëse mendon se mund ta merr me qera LDK-në për dialog, ashtu siç kanë vepruar me të tjerët. Rugova ka drejtuar proceset më të rëndësishme të vendit, si President, por nuk ia ka dhënë LDK-në ti shërbej askujt. Vetëm Kosovës”, ka thënë kryetari i LDK-së.

Për të parin e kësaj partie, Serbia po vazhdon lobimin e pandalshëm kundër Kosovës, ku mes tjerash përmendi se si kishin kërkuar edhe nga Shqipëria që ta tërheq njohjen e shtetit të Kosovës, duke vazhduar me propagandën se Kosova po pengon dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve.

“Kadriu (Kadri Veseli) si Kryetar i Kuvendit dhe Kryetar i PDK-së, dhe lakenjtë e tij s’lënë gjë të keqe pa ia atribuuar LDK-së, e njollosin me lloj-lloj etiketimesh, e në anën tjetër kërkojnë që LDK të bashkëpunojë më ta dhe me koalicionin e tyre në dialog. As nuk ka dëshirë Serbia që të përparojë dialogun dhe ta njohë Kosovën, e as Kadriu që të bashkëpunojë me LDK-në, sepse këtë e ka vërtetuar”, vazhdoi tutje Mustafa.

Veç tjerash, ai theksoi se në rrethanat që tashmë janë krijuar “as Serbia nuk do të përballoj pa hy në dialog dhe pa e njohur Kosovën, e as Kadriu s’ka forcë me e shty ketë proces duke e ofenduar LDK-në dhe opozitën që përfaqësojnë shumicën në Kuvend”.