Objekti i Komunës së Ferizajt | Foto: KALLXO.com

INPO: Komuna e Ferizajt me Konkurs të Kundërligjshëm

Komuna e Ferizajt është akuzuar nga Iniciativa për Progres (INPO) për një konkurs për gjashtë punonjës për kryerjen e shërbimeve të veçanta.

INPO potencoi se pozitat e shpallura përmes këtij konkursi si zyrtarë të prokurimit, zyrtar të personelit, zyrtar financiar, zyrtar administrativ dhe inxhinier i komunikacionit konsiderohen pozita të rregullta dhe se si të tilla nuk ofrojnë shërbime të veçanta.

Kjo organizatë këto pozita i cilësoi në kundërshtim me Ligjin për Shërbyesit Civilë dhe me aktet tjera nënligjore.

Sipas INPO-s, Ligji për Shërbyes Civilë në nenin 12 përcakton dy kategori të të punësuarve-atë të nëpunësve të karrierës dhe të nëpunësve që nuk janë të karrierës të cilët ushtrojnë funksione në kohëzgjatje deri në dy vjet.

INPO konstatoi se vendet e hapura të punës me këtë konkurs nga Komuna e Ferizajt duhej të grupoheshin në ndonjërën nga këto dy kategori e të mos shpalleshin në kuadër të ofrimit 5të shërbimeve të veçanta.

Iniciativa për Progres dyshon se ky konkurs është hapur për të punësuar persona të caktuar.

“Fakti se për pozita të rregullta të shërbimit civil është shpallur konkurs për pranimin e punonjësve për kryerjen e shërbimeve të veçanta, për INPO-n është indikative se ky konkurs është i montuar për të rehatuar persona të caktuar”, thuhet në reagimin e INPO-s.

Probleme tjera sipas INPO-s në lidhje me këtë konkurs janë edhe kriteri i vetëm i kërkuar që është diploma universitare, pa specifikuar natyrën e shkollimit përkitazi me pozitën e punës dhe jotransparenca e këtij konkursi.

INPO bën me dije se konkursi i shpallur ka pesë ditë afat dhe është vendosur vetëm në tabelën e shpalljeve në hyrje të objektit të komunës.

“Për më tepër, ky konkurs në mënyrën se si është shpallur pa transparencë dhe në kundërshtim me ligjin, assesi nuk i kontribuon ngritjes së performancës institucionale të komunës”, thuhet në gjetjet e INPO-s për konkursin.

Por i kontaktuar nga KALLXO.com udhëheqësi i personelit në Komunën e Ferizajt Isuf Salihu tha se konkursi i shpallur bazohet në ligj dhe është mjaft transparent.

“Ligji i lejon emërimet me marrëveshje të veçanta jo më shumë se gjashtë muaj. Këto marrëveshje i nënshtrohen ligjit të detyrimeve. Procedura e rekrutimit është e thjeshtësuar dhe për shkak se është procedurë e thjeshtësuar nuk ka shkuar me mjete të informimit, vetëm është publikuar në tabelën e shpalljeve që është mjaft transparente”, tha Salihu.

INPO ia rikujtoi kryetarit të komunës së Ferizajt edhe raportin e fundit të auditorit të përgjithshëm, sipas të cilit kjo komunë kishte shpenzuar 87 mijë euro për shërbime të veçanta pa e pasur të qartë nevojën për to.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri