Ministri Uran Ismaili në sallën e Kardiokirurgjisë - Foto: Facebook

Infarkti e Stentimi Emergjent do të Trajtohen në QKUK 24/7 nga Java Tjetër

Kardiokirurgjia dhe Kardiologjia Invazive do të nisin trajtimin e infarktit dhe stentimin emergjent, 24 orë në ditë, në shtatë ditë të javës, që nga java e ardhshme, ka njoftuar ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

Ismaili në një postim në profilin e tij në “Facebook” tha se trajtimi i këtij problemi shëndetësor, ndër më të shpeshtit te qytetarët tanë, do të bëhet për herë të parë në QKUK në 24/7.

“Duke i trajtuar rastet e tilla në çdo kohë, ne do t’i ulim shpenzimet e qytetarëve, do të ndalim dërgimin e tyre jashtë QKUK-së dhe çfarë është më e rëndësishmja, do të përfitojmë në kohë që problemet e tyre kritike të trajtohen menjëherë”, tha Ismaili.

Ai tha se puna do të nisë nga java tjetër.

“Vetëm vitin e kaluar janë shpenzuar rreth 2 milionë euro jashtë vendit për trajtimin e sëmundjeve të kësaj natyre. Sot, qytetarët tanë do t’i trajtojmë në Kosovë, kurse paratë do t’i përdorim për modernizimin e klinikave tona”, ka shkruar Ismaili.