Incest tek “I Çmendur nga Dashuria”

Shfaqja “Fool for love” ose “I çmendur nga dashuria” është shfaqja e cila jepet reprizë sonte në teatrin “Dodona”.

Shfaqja e regjisorit Kastriot Saqipi ka si temë kryesore incestin, i cili ndodh pa vetëdijen e personazheve.

Regjisori Saqipi tha se kanë vendosur që titulli i shfaqjes të mbetet në origjinal në gjuhën angleze për arsye se kanë menduar se kështu është më bukur.

“Është një shfaqje që ka si temë kryesore incestin që ndodh pa vetëdijen e personazheve. Një vëlla dhe motër bëhen pjesë e incestit duke mos ditur që babai i tyre ka pasur dy gra në të njëjtën kohë”, tha ai.

Edi, rol ky që luhet nga aktori Besim Ajeti, dashurohet në vajzën që quhet Mej dhe që luhet nga aktorja Makfire Miftari, duke mos e ditur që ajo është motra e tij.

“Është një temë e cila në Amerikë nuk është një tabu, mirëpo është një tabu te ne, madje një tabu e madhe për të cilën nuk dëshirojnë të bisedohet”, u shpreh regjisori.

E gjithë kjo ngatërresë ka ndodhur si rezultat i babait të tyre, i cili ka pasur dy gra në të njëjtën kohë.

Kjo shfaqje sipas regjisorit është një shfaqje psikologjike “jashtëzakonisht e rëndë”.

Për paralajmërimin e shfaqjes nëpër pjesë të ndryshme të kryeqytetit janë shpërndarë edhe posterë, në të cilët KALLXO.com ka vërejtur disa gabime drejtshkrimore.

KALLXO.com ka vërejtur gabimin te emri “Euro Ballkan Institute”, që do të duhej të ishte “Euro Balkan Institute”. Pastaj, fjala “ndriqim” që duhej të ishte ndriçim si dhe “falenderojm” që dashur të jetë falënderojmë.

Regjisori i shfaqjes tha se me realizimin e posterëve është marrë ai vetë.

“Me posterin jam marrë unë vetë. Këto gabime me siguri kanë ndodhur për shkak të kohës së shkurtër pasi që jemi ngutur kur e kemi bërë para premierës dhe paskemi lëshuar disa gabime drejtshkrimore, por fajtori kryesor jam unë”, u shpreh ai.

Premiera e kësaj shfaqje ishte dhënë në teatrin e Fushës-Kosovës më 4 shkurt.