Objekti i Teatrit "Dodona" shpallet monument nën mbrojtje të shtetit

17 asete të trashëgimisë kulturore janë bërë pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore në mbrojtje të përkohshme.

Në mesin e këtyre aseteve që kryesisht janë monumente arkitektonike, janë edhe objekti i Teatrit “Dodona”, Burgu i Gurakocit, objekti i Kino Rinia në Prishtinë dhe koleksioni privat i instrumenteve të krijuara nga Shaqir Hoti.

Vendimi për përfshirja e këtyre aseteve në listë të mbrojtjes, është bërë pavarësisht faktit se MKRS ende nuk e ka publikuar listën e plotë të aseteve të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme për 2021-2022.

Lista e fundit e Trashëgimisë Kulturore në mbrojte të përkohshme kishte vlefshmërinë deri më 10 tetor 2021.

Zana Fetiu, këshilltare për media e ministrit të Kulturës, ka thënë për KALLXO.com se Lista e Trashëgimisë Kulturore nën mbrojtje të përkohshme është plotësuar me 17 asete shtesë, të cila sipas saj, të cilët janë vlerësuar në komisioni përkatës në kuadër të MKRS-së.

Ajo ka thënë se asetet e përfshirë në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën mbrojtje të përkohshme 2020-2021, vazhdojnë të mbeten në listë.

“Institucionet e trashëgimisë kulturore janë duke zhvilluar procesin e rivlerësimit dhe verifikimit të aseteve që janë në listën e trashëgimisë kulturore. Pas përfundimit të këtij procesi, do të shpallët lista e plotë e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme”, ka thënë Fetiu.

Por, Fetiu nuk ka treguar se çfarë  do të ndodhë me astete që janë në mbrojte të përkohshme për vite me radhë.

“Sa i përket procesit të mbrojtjes së përhershme, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është në koordinim të ngushtë me Këshillin e Kosovës për trashëgimi Kulturore, në mënyrë që të përpilohet një plan dinamik i përbashkët dhe në bazë të këtij plani të zhvillohen hapat përkatëse”, ka thënë ajo.

Ligjërisht, MKRS dhe institucionet vartëse janë të obliguara që të përpilojnë listën e përkohshme të aseteve në mbrojtje.

“Objektet e përfshira në Listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme duhet të jenë nën mbrojtje të përkohshme për një vit”, thuhet ndër të tjerash në  neni 3, pika 3.6 të Ligjit për Trashëgiminë kulturore.