Teatri i Gjakovës "Hadi Shehu"
Teatri i Gjakovës kthehet në mars me premierë
Teatri i Gjakovës “Hadi Shehu”, prej fillimit të këtij viti po drejtohet nga Albulena Kryeziu – Bokshi, e cila do jetë përgjegjëse e veprimtarisë së teatrit për katër vite.
Ajo tregoi se fundi i muajit mars teatrin “Hadi Shehu”, do ta gjejë me premierë.
“Repertori do të fillojë nga muaji shkurt kurse në fund të marsit planifikojmë të dalim me premierë” – tha drejtoresha e teatrit Kryeziu – Bokshi.
Ajo tha se kanë filluar përgatitjet për ri-dramatizimin e veprës antike të Sofokliut “Antigona”.
“Kemi filluar përgatitjet bashkë me regjisorin Erson Zymberi, ai me dramaturgun Jeton Neziraj po punojnë në ri-dramatizimin e veprës antike të Sofokliut “Antigona”, vepër kjo e cila do të vihet në skenë si një dramë moderne” – pohoi udhëheqësja e teatrit.
Për këtë vit, ka planifikuar bashkë me trupën artistike dhe stafin teknik të realizojë dy premiera.
“Teatri gëzon një trupë vitale artistike dhe gjithashtu një staf teknik që janë shumë të përgatitur. Këtë vit do të i kemi dy premiera, do të i rikthejmë disa shfaqje që janë prodhuar vitet e fundit dhe si teatër i qytetit besoj që do t’i përmbushim kërkesat që qytetarët e Gjakovës i kanë në raport me teatrin” – ka thënë Kryeziu – Bokshi për KALLXO.com.
Buxheti i përgjithshëm vjetor i teatrit për këtë vit tregoi se do të jetë 200 mijë euro.
“Buxheti vjetor total këtë vit duke përfshirë pagat e puntorëve, subvencionet, mallërat dhe shërbimet si dhe shërbimet komunale është rreth 200 mijë euro euro”- tha ajo.
Për një kohë të gjatë, Teatri i Gjakovës ka mbetur pa udhëheqës artistik dhe për këtë drejtoresha informoi se komuna pritet të hapë konkurs së shpejti.
“Nuk ka udhëheqës artistik, ka kohë në fakt që nuk ka pasur, por normalisht ligji e parasheh dhe komuna shumë shpejtë do të hapë konkurs nëse nuk bëhet ndonjë ndryshim me Ligjin e ri për teatro” – u shpreh ajo.
Drejtoresha Kryeziu – Bokshi tha se deri tani janë 12 aktorë rezidentë. Këtyre aktorëve iu ka bashkangjitur edhe ish-drejtori i teatrit, Edi Kastrati.
“Shpresojmë që vitin tjetër të kemi mundësi ta shtojmë numrin e aktorëve në teatrin tonë. Përveç aktorëve që janë pensionuar nuk ka pas ndonjë largim. Ekipit të aktorëve iu ka bashkangjitur Edi Kastrati, ish-drejtori i këtij institucioni”- theksoi Kryeziu – Bokshi.
Teatri i Gjakovës viteve të fundit është përballur me probleme. Ish-drejtori i këtij teatri, Edi Kastrati pati treguar për KALLXO.com se kanë pasur një bllokadë 5-mujore për shkak të mungesës së mjeteve financiare.
Në vitin 2022 kishin planifikuar pesë premiera por vetëm dy prej tyre u realizuan edhe pse buxheti mjaftonte për më shumë se kaq dhe sipas tij paratë nuk dihet ku përfunduan.