Si u burgos Fadil Hysaj për një shfaqje teatrale në vitin 1981?

Regjisori Fadil Hysaj në emisionin “Kallxo Përnime” ka treguar se si është burgosur tre muaj lidhur me një shfaqje teatrale.

Hysaj ka thënë se bëhet fjale për shfaqjen “Trungu Ilir”, të cilën e ka punuar gjatë kohës kur ka qenë ushtar në Bosnjë.

“Në atë kohë kishte filluar bashkëpunimi me Teatrin Kombëtar, dhe në ndërkohë më thërrasin me punu “Trungu Ilir”, dhe ndërkohë mua më vjen thirrja për ushtar dhe unë ua propozoj Agim Sopin. Jemi marrë vesh me punu Agim Sopi atë shfaqje, unë kam shku ushtar, dhe kemi komuniku me postë. Kam shkrua çka kam pasë e kam dërgu me postë, dhe kanë filluar provat. Është bërë shfaqja dhe unë e kam marrë pushimin për t’u kthyer më i ndihmu për shfaqje. Në premierë nuk kam qenë këtu”, ka thënë ai.

Sipas Hysajt, një pjesë e poezive që kanë qenë në shfaqje janë përdorur nga pjesëmarrësit në demonstrata në vitin 1981.

“Më 1981 kanë ndodhur demonstratat dhe një pjesë e poezive që i kemi pasur në shfaqje, demonstruesit i kanë marrë dhe i kanë këndu”, ka thënë ai.

Regjisori Fadil Hysaj thotë se gjatë hetimeve është akuzuar që kanë bërë shfaqjen e cila i ka inspiruar demonstruesit kundër shtetit – Jugosllavisë.

Tutje thotë se gjatë hetimeve kanë krijuar një aktakuzë sipas të cilës Hysaj do të duhet të trajtohet si lideri shpirtëror i demonstratave.

“Mua më kanë burgosur atëherë mbasi ka ardhë shfaqja, tre muaj kanë qenë burg. Pastaj më kanë marrë në hetime, më kanë akuzuar që ne kemi bë shfaqjen që ka inspirua rdemonstruesit kundër shtetit të Jugosllavisë. Gjatë hetimeve ma kanë krijuar një aktakuzë që është dashur mua me më trajtu si liderin shpirtëror të demonstratave kinse”, ka thënë tutje Hysaj.

Ai ka thënë se edhe vëllai i tij, i cili ka marrë pjesë në demonstrata, ka qenë i burgosur 2 vite.

Këtë Hysaj e ka kuptuar në radio, kur është kthyer nga burgu për në Prishtinë.

“Porsa kam dalë prej burgut kur kam ardhë në Prishtinë, kam dëgjuar në radio që e kanë burgosur vëllanë tim, Ilazin. Ia kanë dhënë mandej tri vjet burg. I ka mbajt 2 vite burg. Ka qenë në demonstrata dhe mandej janë mundu me paraqit atë ka kriju ai të njëjtin send që janë mundu me bërë me mua”, ka thënë Hysaj në “Kallxo Përnime”.