Ahmet Isufi, Deputet, AAK
Ikja nga Ndotja me Gjelbërim dhe Energji Alternative
Në seancën ku po diskutohet në lidhje me ndotjen alarmante, Ahmet Isufi që foli në emër të AAK-së propozoi prioritetet që duhet t’i ketë qeveria, por edhe organizatat ambientaliste për zvogëlim të ndotjes.
“Një element që duhet të jetë prioritet i qeverisë dhe organizatave që merren me ambient është shfrytëzimi i hapësirave për gjelbërim. Tash e tutje do të duhej të behej një hulumtim më i madh i mundësisë së investimeve që krijojnë energjinë alternative”, tha Isufi.
Ai foli edhe për ndalimin e qarkullimit të makinave në qendër të Prishtinës.
“Sot e kam vërejtur një gjendje në kryeqytet që është e çuditshme ngase qendra është ndaluar për qarkullim, por periferia ka krijuar kaos në lëvizjen e automjeteve. Kjo është strategji afatshkurtër që nuk prodhon shumë efekt”, tha Isufi.
Ai deklaroi se nxjerrja e një rezolute nga Kuvendi është e domosdoshme.
“Nxjerrja e një rezolute që do të ndikonte në përmirësim është më se e domosdoshme edhe pse tash gjendemi në gjysmën e dimrit ku nuk mund të marrim hapa konkretë”, tha Isufi.
Në seancën ku po debatohet për ndotjen alarmante të ajrit në Prishtinë të pranishëm janë 68 deputetë.
Seanca u iniciua nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli me mbështetjen e 40 deputetëve nënshkrues.