Foto: Kuvendi i Kosovës

AAK-ja e Haradinajt pa qëndrim për Rezolutën e presidentit Thaçi për Preshevën

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ende nuk ka qëndrim nëse do të mbështes apo jo Rezolutën për Gjendjen e Luginës së Preshevës të propozuar nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi ditë më parë.

“Një rezolutë ka ardhur në mes të seancës nga ana presidentit por nuk është shqyrtuar në parlamentin e Kosovës dhe ne konsiderojmë se duhet të përcillen të gjitha procedurat të cilat mundësojnë funksionimin normal dhe komunikimin e drejtpërdrejtë të institucioneve, prandaj meqë nuk është shqyrtuar ajo rezolutë nuk mund të flas për të”, tha Isufi.

Tutje Isufi në një prononcim për KALLXO.com përmendi seancën e deputetëve për Gjendjen në Luginën e Preshevës të cilën e konsideroi si të drejtë.

“Inicimi për aprovimin e Rezolutës së komisioneve parlamentare të cilat kanë vizituar komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit ka qenë një seancë e thirrur drejtë dhe me arsye për shkak se edhe deputetët janë njoftuar mbi pozitën e shqiptarëve në këtë pjesë të territorit edhe masat që duhet të ndërmerren nga institucionet e Kosovës”, theksoi Isufi.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, sugjeroi që rezoluta e propozuar nga deputetët duhet të miratohet sepse si e tillë i ndihmon qyetetarëve të Kosovës në Luginën e Preshëvës.

“Si rezolutë e cila duhet të aprovohet në parlamentin e Kosovës është e drejtë për shkak se duhet të ndërmerren të gjitha masat në mbrojtje të identitetit të tyre dhe jetës së tyre duke pasur qasje të drejtpërdrejtë qeveria e Kosovës”, theksoi ai.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dje ka publikuar draft-rezolutën për Luginën e Preshevës të cilën ia ka dërguar kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli. Thaçi ka listuar disa prej arsyeve për këtë rezolutë ndërsa ka kërkuar nga deputet e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë atë. Rezoluta e propozuar nga Presidenti i Kosovës obligon institucionet e vendit që të respektojnë vullnetin politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkimin me Kosovë.

Pikërisht për çështjen e Luginës së Preshevës Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një seancë të jashtëzakonshme në të cilën është propozuar një rezolutë nga vet deputet por që në mungesë të kuorumit nuk ka arritur të votohet.