Foto-ilustrim - Foto: KALLXO.com

Identifikohet i Dyshuari që Dogji Plantacionin me Fidanë Dredhëzash

Policia ka njoftuar se dje ka identifikuar të dyshuarin që i vuri zjarrin një plantacioni në Përlepnicë të Gjilanit, duke i shkaktuar ankuesit dëme të konsiderueshme.

Më 1 tetor, një qytetar ishte ankuar se persona të panjohur i kanë vënë zjarrin plantacionit me sipërfaqe rreth dy hektarë.

Policia gjatë asaj kohe ka intervistuar disa dëshmitarë lidhur me rastin.

Sipas një njoftimi nga Zyrës së Policisë së Rajonit të Gjilanit, thuhet se pas hetimeve dhe përmes rrugëve operative dhe provave të tjera është arritur deri tek dyshimi se shkaktari i zjarrit ka qenë një person.

“Pasi është identifikuar i dyshuari, i njëjti është ftuar në intervistë gjatë ditës së djeshme ku është ballafaquar me provat dhe dyshimet se në ditën kritike ka ndezur zjarrin në arën e tij dhe dyshohet që pastaj zjarri i ka dal nga kontrolli dhe si pasojë është dëmtuar (djegur) plantacioni i mbjellë me fidanë dredhëze pronë e ankuesit të rastit”, thuhet në njoftim.

Pas intervistimit të personit të dyshuar me vendim të Prokurorit të Shtetit i njëjti është liruar në procedurë të rregullt.