Ilustrim Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Vdes shtetasja e huaj e cila u lëndua në një shtëpi në Lipjan pasi shpërtheu sistemi me gaz të ngrohjes

Policia ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme një shtetase e huaj e cila ka qenë në trajtim mjekësor ka vdekur si pasojë e lëndimeve të cilat kishte marrë ditë më parë në një shtëpi në Lipjan pasi kishte shpërthyer sistemi me gaz të ngrohjes.

Viktima ka vdekur dje rreth orës 8 të mëngjesit ndërsa trupi i pajetë i saj është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Policia më 5 shtator kishte njoftuar se në rrethana të panjohura në shtëpinë e një çifti në fshatin Leletiq, Lipjan kishte shpërthyer sistemi i ngrohjes.

Si pasojë e shpërthimit lëndime trupore kishin pësuar tani më viktima dhe burri i saj. Të njëjtit ishin dërguar për tretman mjekësor në atë kohë.

Në anën tjetër policia kishte njoftuar po ashtu në raportin e 5 shtatorit se një person ishte shoqëruar në polici dhe ishte intervistuar.

Me rekomandim të prokurorit ishte liruar në procedurë të rregullt ndërsa rasti kishte vazhduar të hetohet tutje.

Rasti ishte cilësuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.