Enver Hoxhaj
Hoxhaj: i Papranueshëm Vendimi për Haradinajn
Për vendimin e sotëm të gjykatës së qytetit Colmar në Francë foli në Kuvend edhe ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj.
“Vendimi i një gjykate në Francë për rastin Haradinaj është zhgënjyes edhe i papranueshëm. Këtë qëndrim ia kam përcjellë ambasadorit të Francës në Kosovë”, tha Hoxhaj.
Hoxhaj paralajmëroi një takim me përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhje asaj të Punëve të Brendshme në lidhje me këtë çështje.
“Është vendim i papranueshëm për ne si shtet. Do të kemi një takim me MD dhe MPB për të folur se si do ti qasemi këtij procesi”, tha Hoxhaj.
Ai deklaroi se e papranueshme është edhe fushata e Serbisë për keqpërdorim të INTERPOL-it.
Ramush Haradinaj u arrestua nga autoritetet franceze më 4 janar me një fletarrestim të INTERPOL-it të lëshuar nga Serbia, shtet i cili më pas bëri kërkesë për ekstradimin e ish-komandantit të UÇK-së për Zonën e Dukagjinit.
Gjykata e qytetit Colmar të Francës kërkoi sot informata shtesë nga Serbia për kërkesën e saj ekstraduese, duke e shtyrë vendimin rreth kësaj kërkese deri më 6 prill.
Në lidhje me këtë vendim të gjykatës reaguan Qeveria e Kosovës dhe AAK-ja.