Enver Hoxhaj në forumin e Bratisllavës | Foto: MPJ
Hoxhaj në Sllovaki Kërkon Njohjen e Kosovës nga Serbia
Duke marrë pjesë në Forumin “Globsec Tatra Summit” që po mbahet në Bratisllavë të Sllovakisë, ministri i jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj deklaroi se Serbia duhet ta njohë Kosovën për prishje të status-quo-së në Ballkan.
“Nëse Serbia nuk e njeh Kosovën, rajoni do vazhdojë të mbetet në status quo,” tha Hoxhaj sipas një komunikate të lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Komunikata sqaroi se Hoxhaj në këtë forum foli në panelin që po diskutonte temën ”Ballkani Perëndimor, Pjesa e Munguar e BE-së,” ku morën pjesë edhe ministra e zëvendësministra të punëve të jashtme të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Hoxhaj, sipas komunikatës, tha se Ballkani në njëzet vjetët e fundit ka përparuar mjaft, por ende mbetet punë për t’u bërë.
Ai tha se zgjerimi i BE-së duhet të shihet si proces gjatë të cilit do të mbyllen të gjitha temat e hapura në rajonin e Ballkanit.
Në Formunin “Globsec Tatra Summit” të zhvilluar në Sllovaki, po marrin pjesë edhe ministra të jashtëm nga Evropa dhe Ballkani Perëndimor, komisionerë nga BE-ja dhe personalitete tjera.
Vendi nikoqir i këtij formumi-Sllovakia është njëri nga pesë shtetet e BE-së që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.