Hoxhaj: Kosova ka plotësuar gjitha kriteret për liberalizim

Zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj, tha se Kosova ka përmbushur gjitha kriteret për liberalizim të vizave.

Prandaj sipas tij, Bashkimi Europian duhet që t’i jap dritën e gjelbër lëvizjes së lirë.

Këtë deklaratë, Hoxhaj e bëri gjatë konferencës së 14 për Rajonet dhe Qytetet Europiane në Salzburg të Austrisë.

“Me gjithë faktin se është dashur t’i përmbushim 95 kritere për liberalizim, në krahasim me vendet e tjera të rajonit të cilat kanë pasur rreth 45, Kosova suksesshëm ka bërë plotësimin e secilit kriter. Bashkimi Evropian duhet ta njohë dhe ta pranojë progresin e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave dhe t’i jap dritën e gjelbër lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj, tha se Bashkimi Europian duhet të punojë që ta mbajë gjallë optimizmin dhe frymën evropiane në Ballkan.

“Mos-njohja dhe mos-shpërblimi i progresit të Shqipërisë, dhe në veçanti të Maqedonisë ka shënuar pasoja. Rasti konkret është, siç e keni parë të gjithë, votimi i djeshëm në referendumin për Marrëveshjen e Prespës në Maqedoni”, ka shtuar Hoxhaj.