Dyshohen se vodhën automjete, fishekë e stoli ari në Austri, arrestohen dy persona në Prishtinë

Të dyshuar për vjedhje të dy veturave, 156 fishekëve dhe stolive të arit në Austri gjatë periudhës dhjetor 2022 – janar 2023, dy shtetas kosovarë janë arrestuar sot nga Policia e Kosovës në Prishtinë.

Policia njofton se ata janë arrestuar në aksione të ndara dhe se janë kontrolluar katër lokacione, ku janë gjetur dhe sekuestruar të lartpërmendurat.

Të dyshuarit, sipas policisë janë L.B., 31-vjeçar dhe I.V., 27-vjeçar.

Arrestimet janë realizuar me bashkëpunim të hetuesve rajonalë, prokurorisë, gjykatës dhe hetuesve nga Austria.

Të dyshuarit pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërkohë që sipas njoftimit, hetuesit janë në kërkim të personit të tretë të dyshuar i cili tashmë është i identifikuar.

Policia ka publikuar edhe fotografitë e atyre që janë sekuestruar.