Rasti Josef Fritzl: raporti psikiatrik thotë se mund të zhvendoset në shtëpinë e kujdesit
Josef Fritzl, dhunuesi seksual austriak i cili e kishte mbajtur të mbyllur vajzën e tij në një bodrum për 24 vjet dhe me të kishte bërë shtatë fëmijë, mund të zhvendoset nga një burg i sigurisë së lartë, raportojnë mediat lokale.
Fritzl, tani 88 vjeç, u burgos përjetë në vitin 2009 në një rast që atëkohë ishte tronditës për mbarë botën.
Transmetuesi publik austriak ORF raporton se një raport i ri psikiatrik mbi Fritzl, i cili është i diagnostifikuar me demencë, thotë se ai nuk përbën më rrezik për publikun.
Kjo do të thotë se një gjykatë tani mund të vendosë nëse do ta transferojë atë në një burg normal.
Fritzl po mbahet në një institucion të sigurisë së lartë për shkelësit me probleme mendore në burgun Stein, në qytetin Krems an der Donau.
Në Austri, të dënuarit me burgim të përjetshëm mund të aplikojnë për lirim me kusht pas vuajtjes së 15 vjetëve – sipas këtij ligji, Fritzl ka të drejtë të lirohet me kusht këtë vit.
Ekspertët ligjorë thonë se lirimi me kusht është gjithashtu një mundësi, që do të thotë se Fritzl, i cili që atëherë ka ndryshuar emrin e tij, mund të zhvendoset në një shtëpi kujdesi.
Në vitin 2022, një gjykatë rajonale vendosi që Fritzl “nuk konsiderohet tash e tutje si rrezik” dhe mund të transferohet në një burg standard – mirëpo Gjykata e Lartë Rajonale në Vjenë e bllokoi më vonë vendimin.
Rasti Fritzl, i cili u shfaq në qytetin e Amstetten në vitin 2008, është përshkruar si një nga më të këqijtë në historinë kriminale të Austrisë.
Ai u dënua për vrasjen e një prej fëmijëve të tij nga neglizhenca, si dhe për përdhunim, incest dhe skllavërim të vajzës së tij.
Vajza e Fritzl dhe fëmijët e saj që atëherë kanë marrë identitete të reja./BBC
Përgatiti: Nuhi Shala