Flamuri i Austrisë, Foto: Pixabay

Hallstatt, qyteti austriak proteston kundër turizmit masiv

Vendasit në qytetin Hallstatt në Austri kanë marrë pjesë në një protestë kundër turizmit masiv.

Hallstatt, i cili është vend i Trashëgimisë Botërore, ka rreth 700 banorë – por pranon deri në 10,000 vizitorë në ditë gjatë sezonit kur turzimi është në pikun e tij.

Banorët kërkuan kufizimin e numrit të turistëve ditorë dhe ndalimin e autobusëve turistikë pas orës 17:00.

Edhe pse turizmi ka dhënë rezultate të mira për ekonominë e Hallstatt, disa vendas thonë se ka thjesht shumë vizitorë.

Hallstatt, me shtëpitë e vjetra piktoreske në brigjet e një liqeni alpin të rrethuar nga male të thepisura, është bërë një pikë turistike vitet e fundit.

Në vitin 2006, vendi u shfaq në një dramë romantike të Koresë së Jugut – duke rritur popullaritetin e tij në Azi – me një kopje të qytetit që u ndërtua në Kinë gjashtë vjet më vonë.

Si një nga destinacionet më turistike të Evropës, disa vendas thonë se ka thjesht shumë vizitorë, veçanërisht udhëtarët ditorë, të cilët udhëtojnë me autobus të mëdhenj në qytet.

Tani për tani, si Venecia dhe vende të tjera të prekura nga ajo që njihet si turizëm i tepërt, duket sikur Hallstatt do të duhet të durojë bekimet e përziera të popullaritetit të tij.

Në maj të këtij viti, banorët ngritën për pak kohë një mur prej druri në vendin më të njohur për të bërë selfie, duke bllokuar pamjen e Alpeve, në shenjë proteste kundër ndotjes akustike dhe trafikut- pas një reagimi të ashpër në rrjetet sociale, ajo u hoq.

Në atë kohë, kryetari i qytetit tha se donte të reduktonte një të tretën numrin e autobusëve që kalojnë nëpër Hallstatt.

Hallstatt priti rreth një milion vizitorë një vit para pandemisë Covid-19. BBC

Përgatiti: Ardita Zeqiri