Osmani në Austri: Integrimi evropian është e vetmja rrugë për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar sot për në Alpbach të Austrisë, për të marrë pjesë në Forumin Evropian Alpbach 2023.

Osmani Sadriu në këtë forum ishte pjesë e panelit kryesor bashkë me përfaqësues të shteteve tjera.

Presidentja nga Austria ka shkruar se integrimi evropian është e vetmja rrugë për Kosovën.

“Zgjerimi i Bashkimit Evropian me shtetet demokratike të Ballkanit Perëndimor, mbrojtja e parimeve dhe vlerave të të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë, si dhe unifikimi në luftimin e autokracive e tiranive, janë tiparet që e bëjnë një Evropë të guximshme. Pavarësisht se është rrugë e gjatë dhe e mundimshme, integrimi evropian është e vetmja rrugë për Kosovën. Familja euroatlantike është familja jonë!”- ka shkruar ajo.

Gjatë Forumit, Presidentja Osmani do të realizojë edhe një bashkëbisedim me të rinjtë bursistë të Forumit Evropian nga rajoni, diaspora dhe bota, me fokus në zhvillimet e fundit në vend, por dhe qëndrimin e Kosovës karshi zhvillimeve politike në Evropë dhe përtej, ka njoftuar Zyra e Presidentes.