Hoxha: Sanksione Klubeve për Kriteret

Federata e Futbollit të Kosovës do duhej të sanksiononte klubet e ligave kryesore nëse nuk i plotësojnë kriteret organizative, sidomos ato financiare.

Kështë mendon njohësi i futbollit, Fatos Hoxha, i cili shpjegoi në emisionin “Jeta në Kosovë” gjendjen organizative të klubeve të futbollit në Kosovë, e cila rezultoi me pamundësimin e pjesëmarrjes në garat ndërkombëtare.

Hoxha vlerëson se klubet kanë qenë të vetëdijshme për kriteret evropiane të futbollit por zbatimin e tyre nuk e kanë pasur prioritet në 16 vitet e fundit.

“Nuk kemi menduar qe 16 vite në kriteret evropiane të futbollit. Nuk kemi menduar me programe dhe projekte. I kemi ditur kriteret, ndoshta ka qenë e vështirë apo sporti ka qenë në situatë ku nuk kemi mundur të ecim përpara kjo është çështje tjetër”, tha Hoxha.

Ai gjithashtu thekson se çështjet rregullative fillimisht varen nga klubet dhe vlerëson se ato do duhej të kishin bërë një zgjedhje më të mirë të trupave organizativë në Federatën e Futbollit

“Komuniteti i futbollit e ndërton Federatën e Futbollit të Kosovës. Po të ishin klubet më të organizuara do të kishin zgjedhur një trup organizativ që i kishte dërgu përpara” vlerëon Hoxha.

Hoxha gjithashtu mendon se sanksionimi i klubeve që nuk funksionojnë në bazë të rregullave apo nuk kanë siç e quan ai ‘Fair-play financiar’, do të ndikonte në inkurajimin e përmirësimit të klubeve tjera që synojnë Superligën.