Largimi i Jurgen Klopp është fatkeqësi për Liverpool-in

Lajmi se trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp do të largohet nga puna e menaxherit në fund të sezonit është një lajm bombë. Askush nuk e priste një lajm të tillë, as tani, as së shpejti. Pyetjet pse Klop po largoeht tash e tutje do të jenë të shumta dhe të shpejta, me të gjitha llojet e teorive të rreme konspirative rreth asaj që fshihet në të vërtetë pas largimit të tij. Futbolli është i tillë.

Vendimi i Klopp për t’u larguar vjen menjëherë pasi Liverpool u kualifikua në finalen e Carabao Cup. Është edhe më e papritur sepse Klopp e ka përfunduar një rindërtim të madh të skuadrës së lojës verën e kaluar (zakonisht diçka që sugjeron se trajneri ka në mendje një plan afatgjatë). Liverpool aktualisht është në krye të Premier League, dhe ende në garën për FA Cup, e po ashtu dhe në Europa League. Pra, pse të largohet tani?

Ky është versioni i ngjarjeve nga vetë protagonisti. “Mund ta kuptoj se është një tronditje për shumë njerëz në këtë moment kur e dëgjoni për herë të parë, por padyshim që mund ta shpjegoj – ose të paktën të përpiqem ta shpjegoj”- tha Klopp në një deklaratë në faqen e internetit të klubit këtë mëngjes.

“Më pëlqen absolutisht gjithçka në këtë klub, më pëlqen gjithçka për qytetin, më pëlqen gjithçka për tifozët tanë, e dua ekipin, e dua stafin. Unë dua gjithçka këtu. Mirëpo, fakti që unë ende qëndroj prapa vendimit tim për t’u larguar tregon se jam i bindur se është vendimi që duhet të marr. Është se jam, si mund ta them, po më mbaron energjia… E di që nuk mund ta bëj punën përsëri dhe përsëri dhe përsëri dhe përsëri”.

Pra, është rraskapitja atëherë ajo që e ka shtyrë vendimin e Klopp për t’u larguar nga Liverpuli. Është një pranim i rrallë nga një menaxher elitar, mirëpo Klopp e ka thënë gjithmonë mendimin e tij. Kërkesat e menaxhimit të futbollit janë të pamëshirshme dhe menaxherët nuk janë robotë.

 Klopp e ka pasur mençurinë dhe vetëdijen për ta zgjedhur momentin e tij, për arsye që kanë kuptim për të. Pak menaxherë mund ta zgjedhin kohën e tyre të largimit: një shkarkim është zakonisht ajo që e mbyll mandatin e një menaxheri. Vetëm disa gjigantë të lojës e mbajnë kontrollin përfundimtar të fatit të tyre menaxherial. Pep Guardiola i Manchester Cityt është padyshim i vetmi trajner tjetër elitar që mund të zgjedhë kur të largohet nga puna e menaxherit. Rivaliteti i tij me Klopp gjatë sezoneve të fundit ka sjellë emocione të shtuara në futbollin në këtë vend. Është turp që do të përfundojë më shpejt seç do të kishte dashur çdo tifoz futbolli. Edhe sa kohë duhet përpara se i madhi Guardiola të largohet nga Manchester City?

Është e vështirë të thuhet se sa shumë ka arritur Klopp, brenda dhe jashtë fushës tek Liverpool. Ai mbërriti në Anfield në vitin 2015, dhe përgjatë nëntë viteve që atëherë, Klopp e ka rikthyer Liverpoolin atje ku i përket si një forcë e futbollit vendas dhe evropian. Më e rëndësishmja nga të gjitha, ai e udhëhoqi klubin drejt titullit të Premier League në vitin 2020, duke i dhënë fund një pritjeje prej më shumë se tre dekadash. Klopp gjithashtu fitoi Ligën e Kampionëve, si dhe arriti në finalen e këtij kompeticioni tri herë. Trofetë e fituara përfshijnë gjithashtu Kupën FA, Kupën e Ligës dhe Kupën e Botës për Klube.

Është një transformim tronditës në pasurinë e klubit. Liverpooli dukej i humbur derisa nuk erdhi. Klopp mund të kishte fituar edhe më shumë në frontin e brendshëm nëse nuk do të ishte për standardet dhe qëndrueshmërinë jashtëzakonisht të lartë të Manchester City nën Guardiolën. Spanjolli ka fituar më shumë se gjermani, por është Klopp ai që i vë në garë zemrat e neutralëve të futbollit. Ai ka një personalitet infektiv, të mbushur me entuziazëm dhe duket sikur e mban zemrën në mëngë. Përqafimi i tij i ngrohtë me lojtarët e tij dhe rituali i ngritjes së gjoksit para besimtarëve të Anfield-it pas një fitoreje tjetër, flasin për një dashuri dhe respekt të ndërsjellë që pak menaxherë të tjerë në lojë e komandojnë.

Pronarët e Liverpool-it, Fenëay Sports Group, e shfaqën një pamje të guximshme në fytyrën e tyre pas këtij lajmi shokues, duke këmbëngulur se do të jetë “biznes si zakonisht” deri në fund të sezonit. Ata mund vetëm të shpresojnë: një menaxher që e njofton largimin e tij në mes të sezonit gjithmonë i godet lojtarët në mënyra të papritura, duke çuar ndonjëherë në një rënie të nivelit të performancës. Vetëm koha do ta tregojë. Një gjë është e garantuar: Klopp është një shembull pothuajse i pamundur për t’u ndjekur./The Spectator

Përgatiti: Nuhi Shala