Historia e futbollistes 14-vjeçare nga Podujeva që luan në Austri - VIDEO

Ishte vetëm 8-vjeçare kur e destinoi të ardhmen e saj me futbollin në Austri, ndërsa ditëve të fundit ka pranuar t’i bashkohet kombëtares së Kosovës U-16 të vajzave në futboll. Rrëfimi i Erona Kosumit rreth futbollit.

Erona Kosumin është një vajzë 14-vjeçare me prejardhje nga fshati Ballofc i komunës së Podujevës, e lindur dhe rritur në Graz të Austrisë.

Erona ka rrëfyer për KALLXO.com se si ka nisur me futbollin dhe cilat janë arritjet e saj deri më sot, edhe pse ajo në fillim kishte ushtruar të bëhej basketbolliste, mirëpo nuk e kishte pëlqyer më shumë sa futbollin.

Dëshira e saj e flaktë që ta përfaqësojë Kosovën në futboll gjithmonë ka qenë me të, pasi ka dëshirë që të luajë për vendin e saj.

Duke qenë se luan që nga 10 korriku me ekipin e njohur në ligën austriake, ‘SK Sturm Graz’, kjo bëri që Kosumi të binte në llupën e Federatës së Futbollit të Kosovës, me të cilët edhe është takuar gjatë javës së kaluar.

“Babi jem m’ka kallxu që kam me lujt për Kosovën, edhe unë njëherë jam kanë e kënaqur, kam dalë me ushtru pak e tani jam ardh në Kosovë” – ka rrëfyer ajo.

Pra, Kosumi do të luaj në Kombëtaren U-16 të vajzave në futboll. Në anën tjetër, ajo synon që një ditë të luajë edhe për ekipin e saj të preferuar, Barcelonën.

Një kërkim në internet për ekipin që ajo synonte ta shfaqte talentin në të, ishte veprimi i saj i parë drejt futbollit dhe ua kishte kumtuar prindërve se ka biseduar me ta dhe tashmë ka lënë një termin për tu takuar dhe finalizuar gjithçka që duhet për të filluar trajnimet.

“Mas pari janë kanë, ‘po amo ka sport më të mirë’, unë thash ‘po ka ndoshta për tjerët, amo jo për mu, se futbolli m’kallxon mu që është diçka për mu, talent” – ka treguar Kosumi reagimin e prindërve të saj.

Asaj i kishte pëlqyer futbolli sa e kishte parë duke luajtur vëllain e saj të madh, me të cilin edhe kishte shkëmbyer disa topa dhe lëvizje gjatë kohës së lirë.

14-vjeçarja për shkak të aftësive të saj me futbollin fillimisht kishte luajtur në ekipin e djemve të rinj në të gjitha pozitat, mirëpo pozita e mbrojtëses së djathtë ishte më e përshtatshmja nga të gjitha për t’i shteruar të gjitha ato aftësi në të.

Me këtë rast ajo është ballafaquar me këndvështrime të ndryshme nga gjinia e kundërt, por me kohë ata ishin pajtuar me faktin se ajo do t’i shoqëroj si bashkëlojtare edhe në shumë ndeshje tjera.

“Unë luj me djem edhe ende jam tu lujt, amo mas pari tjerët djem m’këqyrin sikur ‘jo çikat s’din me lu futboll, çika nuk është për futboll’, edhe tani masi m’kanë pa mu tu lujt e kanë dit që edhe çika ka që lujnë futboll’’  – është shprehur Kosumi.

Andaj, ajo ka një mesazh për të gjitha vajzat që duan të luajnë futboll, e njëkohësisht një mesazh për djemtë që shohin vajza duke luajtur futboll.

“Krejt çikat munden me lujt me top, se s’ka sport a është për çika, për djem, edhe çka thojnë tjerët nuk ki çka m’i ngu se është sporti yt çka ki qef, edhe për djem, s’o gajle a lujnë a kanë qef me lujt çikat me top a jo, nuk është problemi i atyre, se mundemi edhe ne çikat me thanë ‘nuk është futbolli për djem’ kështu mundemi edhe na me bo, po futbolli është për çika, për djem, krejt sportet” – tha ajo për KALLXO.com.

Ndërkohë, Afërdita Kosumi, nëna e Eronës, ka treguar për KALLXO.com se si e kishin pritur ata si prind faktin që Erona do të luante futboll.

“Në fillim nuk mu ka dok aq interesant, amo kur e pash që e ka talentin për futboll, unë dhe partneri im jemi merr shumë me të, në stërvitje nën-stop, n’shi, borë, shkollë, non-stop pas saj kemi qenë, po më në fund e arriti qëllimin” – ka treguar Kosumi.

Si rezultat, Kosumi ka thënë se nuk e kanë pasur shumë të vështirë ta përkrahin, pasi ajo shkon me shumë vullnet në ushtrime.

“Kur e pamë që është aq e talentune për top, që bën shumë pas topit, ia kemi ndërru edhe shkollën, e kena qitë në shkollë sportive, aty është tu e vazhdu shkollën” – ka thënë ajo.

Shkolla sportive në të cilën mëson Erona quhet ‘Bruckmanshule Graz’.

Në historikun e Kosumit datojnë periudhat, nga 23 korriku i vitit 2021 deri më 29 gusht, 2022 ka luajtur për ‘SC Seiersberg’, pastaj nga 1 korrik, 2022 deri 5 korrik 2022 për ‘SV Justiz Graz’ dhe nga 10 korriku i këtij viti luan për ‘SK Sturm Graz’.

Ndërsa, stërvitja e parë me Kosovën pritet të ndodhë pas dy javësh.