Foto: BIRN/Juan Manuel Montoro

Për Kosovën Botërori i Futbollit është më shumë se një lojë

Integrimi ndërkombëtar i Kosovës është ende një punë në progres, mirëpo kur bëhet fjalë për sportin, ky vend tashmë është i vendosur në mënyrë të duhur. Ndikimi ndihet shumë përtej fushës së futbollit ose palestrës së arteve marciale.

Edicioni i fundit i Kupës së Botës për meshkuj të FIFA-s filloi të dielën në Katar. Por futbolli – dhe sporti në përgjithësi – është më shumë se një lojë.

Kur individë ose ekipe përfaqësojnë një shtet në garat e organizuara sportive, njerëzit që shikojnë mësojnë se cilat shtete ekzistojnë dhe si duken ato.

Kjo është arsyeja pse Kosova vendosi aq shumë reputacion në sigurimin e anëtarësimit në FIFA, Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, IOC dhe organe të tjera drejtuese sportive, ndërkohë që Kosova u përpoq ta rriste pozitën e saj ndërkombëtare pas shpalljes së pavarësisë nga Serbia në vitin 2008.

 Janë 32 kombëtare që konkurrojnë për ta ngritur Kupën e Botës në Katar, por 207 federata kombëtare morën pjesë në fazat kualifikuese, përfshirë edhe Kosovën.

Pasi iu bashkua FIFA-s dhe organit drejtues të futbollit evropian, UEFA, në vitin 2016, kjo ishte hera e dytë që Kosova u përpoq të kualifikohej në fazën më të madhe.

Me vetëm një fitore dhe dy barazime, Kosova përfundoi e fundit në grupin e saj, mirëpo ia doli t’i kapërcejë një sërë pengesash politike, jo më pak në lojën kundër tri shteteve që as nuk e njohin atë si sovrane – Gjeorgjisë, Greqisë dhe Spanjës.

Kosovarët luajtën në tokën spanjolle me çështjen e vetme reale se si transmetuesi publik spanjoll i shfaqi simbolet zyrtare të Kosovës – flamurin, himnin dhe kodin e FIFA-s.

Por, si ia doli Kosova të pranohej në dhjetëra federata ndërkombëtare sportive, pavarësisht se nuk ishte e njohur botërisht si shtet, përfshirë edhe nga shumë anëtarë të këtyre federatave, të tilla si Spanja?

Si të bëhesh pjesë e klubit

Dera për FIFA-n dhe të tjerët u hap efektivisht me pranimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, KON.

Statuti Olimpik kërkon që anëtarët të njihen nga “komuniteti ndërkombëtar”. Anëtarësimi në Kombet e Bashkuara zakonisht do të nënkuptonte një njohje të tillë, mirëpo aleati i madh i Serbisë, Rusia, mban veton në Këshillin e Sigurimit për pranimin e Kosovës. Edhe dhjetëra vende të botës nuk e njohin Kosovën si shtet.

KON-i gjeti një rrugëdalje për këtë. Sipas procesverbalit të sesionit të saj të 127-të në vitin 2014, KON-i zgjati anëtarësimin e Kosovës me arsyetimin se më shumë shtete anëtare të OKB-së e njohin atë sesa jo – 108 nga 193.

Papritmas në gjendje për të konkurruar ndërkombëtarisht, Kosova i dha fund dekadave të izolimit sportiv që i kishte rrënjët në diskriminimin ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë Jugosllavisë.

Fadil Vokrri ishte i vetmi futbollist shqiptar i Kosovës që ka luajtur për kombëtaren jugosllave në nivel të lartë, ndërkohë që boksieri Aziz Salihu ishte së bashku me shqiptarët e Kosovës që e përfaqësonin Jugosllavinë në një Olimpiadë verore, duke marrë një medalje bronzi në Los Anxhelos në vitin 1984.

Pranimi në KON në vitin 2014 bëri që sportistët shqiptarë të Kosovës të marrin pjesë në Lojërat Olimpike të Rio 2016 dhe 2020 në Tokio, këto të fundit në fakt u mbajtën në vitin 2021 për shkak të pandemisë COVID-19. Xhudistet e Kosovës fituan tri medalje të arta – Majlinda Kelmendi në Rio dhe Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova në Tokio.

Shfaqje të tilla ndihmuan në çimentimin e imazhit të Kosovës si shtet, madje edhe në vendet më të vështira.

Kur Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian të Xhudos 2016 në Kazan, Rusi, orkestra ushtarake ruse e performoi himnin e Kosovës dhe flamuri i saj u ngrit, pavarësisht nga mbështetja e gjatë e Rusisë për refuzimin e Serbisë për ta njohur ish-krahinën e saj jugore si shtet të pavarur.

Kuptohet që Kosova gjen tek sportistët e saj disa nga ambasadorët e saj më të mirë kulturorë, një burim i domosdoshëm për damkën e kombit dhe për t’i dhënë vendit rrugë alternative përfaqësimi ndaj atyre të diplomacisë zyrtare shtetërore.

Identiteti ka rëndësi

Ndikimi i pjesëmarrjes ndërkombëtare të Kosovës në sport, megjithatë, shihet jo vetëm jashtë por edhe brenda vendit. Dhe, si i tillë, ky ndikim, ngre shumë pyetje.

A identifikohen njerëzit me shtetin e Kosovës dhe simbolet e tij? Apo e shohin Kosovën si pjesë të një përkatësie më të gjerë shqiptare dhe zgjedhin ta alternojnë apo edhe ta kombinojnë besnikërinë e tyre me ekipin shqiptar dhe atë kosovar? A ka vend për politika që sigurojnë që pakicat etnike, veçanërisht serbët, të kërkojnë të përfaqësojnë Kosovën dhe janë të mirëpritur në këtë?

Po sukseset e shumta të diasporës shqiptare të Kosovës? Këtu është më i dukshëm kompleksiteti i identitetit – sportistët me origjinë nga Kosova, por që jetojnë jashtë Kosovës, duhet të zgjedhin mes të luajturit për Kosovën, Shqipërinë, apo vendin ku kanë lindur apo e kanë bërë të tyrin.

Por, ndërkohë që shumica e sporteve nuk lejojnë që një lojtar ta ndryshojë ekipin e tij ose të saj kombëtar, shtetësia e shumëfishtë është gjithnjë e më e zakonshme; Kosova mund të na ndihmojë ta kuptojmë sportin si një aktivitet në të cilin rregullat strikte të përkatësisë dhe kombësisë mund të mos zbatohen më.

George Kyris është profesor i asociuar në Universitetin e Birminghamit në Mbretërinë e Bashkuar, i specializuar në konfliktet e shtetësisë dhe debatet mbi sovranitetin. Juan Manuel Montoro është gazetar dhe studiues i pavarur, i specializuar në marrëdhëniet midis sportit dhe kombësisë.

Mendimet e shprehura janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN. Kjo pjesë është pjesë e një projekti hulumtues të realizuar në kuadër të Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur.

Ky shkrim fillimisht është publikuar në Balkan Insight.