Avdullah Hoti LDK

Hoti: Ndërrimi i pushtetit do të ndodh së shpejti

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë që shumë shpejt do të vijë fundi i qeverisë Haradinaj por, sipas tij, shtetit të Kosovës do t’i duhet shumë kohë që t’i rikuperojë të gjitha dëmet që koalicioni aktual qeveritar i ka bërë.

“Pavarësisht kësaj, ndërrimi i pushtetit do të ndodhë së shpejti, veçse dëmet ndaj shtetit të Kosovës janë rritur nga shtatori e këndej. Do të na duhet më shumë kohë dhe energji për të rikuperuar këto dëme, si brenda vendit ashtu edhe në marrëdhëniet me miqtë tani, dhe pastaj për t’i hapur rrugë stabilizimit, zhvillimit dhe integrimit euroatlantik të Kosovës”, ka shkruar Hoti në facebook.

Tutje Hoti nuk ka kursyer kritikat as për PSD-në, e cila sipas tij për shkak të mosgatishmërisë për zgjedhje ka mbajtur në jetë qeverinë Haradinaj.

“PSD-ja duke mos qenë e gatshme për zgjedhje, nga shtatori i vitit 2018 e mban në këmbë Qeverinë duke e mbështetur atë në situatat më kritike, siç ishte buxheti dhe dialogu. Sikur PSD-ja të qëndronte bashkë me opozitën, sot do të kishim një qeveri të re të udhëhequr nga partitë që sot janë në opozitë”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, PAN është duke e mbajtur pushtetin jodemokratik edhe në saje në Listës Serbe sepse asaj i konvenojnë institucione të brishta pa legjitimitet.

LDK dhe LVV ka tash e disa ditë që kanë paralajmëruar rrëzimin e qeverisë, madje LVV ka filluar edhe tubimet me qytetarë kundër koalicionit të PAN-it.