Hoti: Liderishipi i Kosovës ka vënë në pikëpyetje relacionet me ShBA-në

Kryetari i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka komentuar vizitën e delegacionit të lartë nga ShBA-ja duke thënë se është hera e parë që liderishipi i Kosovës ka vënë në pikëpyetje relacionet miqësore dhe partneritetin strategjik që i ka me ShBA-në.

“Vetëm një lideriship i papërgjegjshëm mund ta sjell Kosovën në këtë pikë”, tha Hoti.

Hoti shtoi se në 11 vjet shtet asnjëherë Kosova nuk ka qenë në pozitë më të dobët si në politikën e brendshme edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Nuk kemi pas një degradim më të madh institucional gjatë gjithë këtyre viteve dhe humbje e plotë e besueshmërisë së qytetarëve ndaj lidershipit të vendit. Është vë në pikëpyetje përkrahja e partnerit tonë kryesor ShBA karshi shtetit të Kosovës. Për herë të parë pas 30 viteve ndodh që kryeministrit të vendit i  mohohet e drejta për të udhëtuar në ShBA”, tha Hoti.

Hoti e ka përmendur edhe presidentin Hashim Thaçi, duke thënë se po lobon fuqishëm për korrigjim të kufijve e nuk po e kryen rolin e tij kushtetues.

“Presidenti nuk po e kryen rolin e tij kushtetues. Në mars bëhen një vit i plotë që e ka e ka blloku funksionimin e KQZ-së. Mbi 30 asamblist të komunave presin për certifikim nga KQZ-ja, një deputet i Kuvendit pret për certifikim dhe krejt stafet e grupeve parlamentare dhe të punësuarit në parti politike që financohen përmes buxhetit të shtetit janë të bllokuara tash e dy muaj pa paga të rregullta”, shtoi Hoti.

Ai njoftoi se për këto probleme edhe do të mbahet seancë e jashtëzakonshme siç kanë kërkuar 44 deputet.

Hoti tha se qëndrimi i LDK-së për platformën për dialog është vetëm Kushtetuta e Kosovës dhe qeveria me legjitimitet të fuqishëm qytetarë që duhet ta udhëheq dialogun.

“Korrigjim të kufijve nuk do të ketë asnjëherë. Qytetarët shpejtë në zgjedhjet e reja do ta përmirësojnë këtë lidership”, përfundoi Hoti.