Abdixhiku për zgjedhjet: Të bashkuarit le të caktojnë datën, ne do ta caktojmë festën

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përsëritur qëndrimin se dorëheqja e Qeverisë, e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, është rruga e vetme për zgjedhjet.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, që u zhvillua më 28.05.2024, Abdixhiku deklaroi se “pushteti ka menduar zgjedhjen e instrumentalizimit të opozitës si shpëtim individual nga dështimi i madh”.

“Pas tre vjet e gjysmë popullizëm e mungesë progresi thelbësor, pas tre vjet e gjysmë polarizim, ndarjeje shoqërore e nxitje të propagandës pa asnjë konsideratë njerëzore e politike, pushteti kishte menduar zgjedhjen e instrumentalizimit të opozitës si shpëtim individual nga dështimi i madh. Fatkeqësisht, në këtë instrumentalizim ka gjetur një aleat”- ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku theksoi se LDK-ja “refuzon farsën e darkave si mbulesë të një uniteti politik”, duke shtuar se ata që janë bashkuar le ta caktojnë datën kurse Lidhja Dmeokratike do ta caktojë festën.

“Por siç e kam thënë më parë, siç e them tani dhe do ta them secilën herë, që të na dëgjojnë më mirë e më qartë, Lidhja Demokratike e Kosovës refuzon farsën e darkave si mbulesë të një uniteti politik, që u përbuz kur u ofrua tash e tre vjet e gjysmë. LDK-ja farsave të tilla u jep përgjigje në mobilizim nacional të djathtë e patriotik! Derisa ata kthehen në origjinë, ne shikojmë drejt hijes së trashëgimisë së patriotëve të mëdhenj që bënë Lidhjen tonë dhe Kosovën të jetë të veçantë! Aty gjejmë dhe nevojën për përbashkim e për ringritje si një”- është shprehur Abdixhiku.

“Të bashkuarit le të caktojnë datën. Të djathtit, ne, do ta caktojmë festën! LDK-ja është e gatshme të kërkojë besimin qytetar, e gatshme të marrë dhe përgjegjësinë e të projektojë të ardhmen që ky pushtet ka ngufatur me qëllim”- shtoi ai.

Teksa ripërsëriti qëndrimin e partisë që ai drejton, Abdixhiku theksoi se fillimisht duhet dorëheqja e Qeverisë, më pas shpërndarja e Kuvendit dhe në fund zgjedhjet.

“Për të bërë këtë gjë, ka vetëm një rrugë, i thonë dorëheqje e menjëhershme e Qeverisë, si përgjegjëse e vetme e rrënimit të shtetësisë, krijimit të autonomisë, ngecjes ekonomike, polarizimit kombëtar, e eksodit të popullsisë! Fillimisht dorëheqja, më pas shpërbërja, në fund zgjedhjet. Ky është qëndrimi i LDK-së”- ka thënë Abdixhiku.

Në anën tjetër, më 24.05.2024, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, u ka dërguar letër krerëve të partive parlamentare: kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Përmes kësaj letre, ai ka ritheksuar qëndrimin e PDK-së për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme.

“Në takimet e fundit që i kam zhvilluar me secilin lider të këtyre partive parlamentare, kam shprehur qëndrimin se zgjedhjet sot janë një domosdoshmëri qytetare dhe jo një dëshirë politike, andaj tani është koha që të veprojmë të koordinuar dhe me hapa konkret”- ka shkruar  Krasniqi.

Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar datat 30 qershor ose 7 korrik për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe për shkak të afateve ligjore dhe kushtetuese.

Partitë opozitare ka kohë që kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por ende nuk po arrijnë të pajtohen për të thirrur një seancë parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.