Homazhe dhe Porosi te Varri i Ibrahim Rugovës

Presidentja Jahjaga, ish-kryetarin Rugova e vlerësoi si njeri që krijoi miqësinë me ShBA-të dhe vendet e BE-së.

“Erdha këtu për të bërë nderimin tim, nderimin institucional për Presidentin e parë të Kosovës, Presidentin Historik, arkitektin e pavarësisë së Republikës së Kosovës doktor Ibrahim Rugovën, njeriun i cili vendosi aleancën dhe mirësinë tonë të përjetshme si popull i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendet e BE-së,” tha Jahjaga.

Ajo duke u ndërlidhur me protestën e opozitës të paralajmëruar për sot, tha se pret që kjo ditë të jetë ditë feste për të gjithë.

Kryeministri Mustafa tha se ndodhet te varri i Ibrahim Rugovës në tetëvjetorin e pavarësisë për ta vazhduar veprën e tij.

“Sot jemi këtu t’ia bëjmë nderimin, të shprehim përkushtimin për vazhdimin e veprës së tij për ndërtimin e një shteti demokratik, një shteti të zhvilluar, një shteti ku të gjithë qytetarët ta ndiejnë vetën të lumtur dhe do të jenë pjesë e familjes së madhe evropiane,” tha ai.

Edhe Hashim Thaçi zëvendësi i Mustafës, teksa ua uroi kosovarëve përvjetorin e pavarësisë, kujtoi kontributin e Ibrahim Rugovës për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Mustafa e Thaçi folën edhe për protestën e paralajmëruar nga opozita. Kryeministri tha se opozita nuk duhet të protestojë në ditë të festës.

Opozita sot nuk ka arsye të protestojë, sepse gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës sot duhet të kremtojnë, festojnë, duhet të mburren për këtë shtet dhe unë mendoj që edhe ata që dalin sot mbasdite do të mburren me shtetin e tyre dhe të arriturat e këtij vendi,” theksoi Mustafa.

Shumë më i ashpër me opozitën u tregua ministri i Punëve të jashtme Hashim Thaçi.

“Besoj që do të ishte në interes që Kosova ta kishte një opozitë demokratike të punojë në angazhimet dhe prioritetet e ndërtimit dhe forcimit të shtetit, forcimit të objektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë dhe në asnjë rrethanë të mos ngjajë në një ndërmarrje të përbashkët politiko-kriminale siç po veprojnë,” tha Thaçi.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme homazhe pranë varrit të ish-presidentit Rugova kanë bërë edhe Sabri Hamiti dhe Xhavit Haliti si dhe grupe të qytetarëve.

[interaction id=”56c4a70eb6c51fb652dfe9f8″]